Pushteti i Faton Pecit ua heq nga 50 euro mbi 300 punëtorëve, i merrnin për ushqim

Publikuar më:

Avokati Elvir Imeri kundërshton vendimin e Kuvendit Komunal për shfuqizimin e kompensimit për shujtë me 50 euro në muaj

Ai tha se vendimi cenon drejtpërdrejtë interesat e punonjësve të administratës publike.

Ai tha se është për keqardhje që komuna këmbëngulë ta kundërshtojë verdiktin e Gjykatës Themelore të Apelit.

Postimi:

Sot, Kuvendi Komunal i Mitrovicës, me votat e pozitës nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Guxo, AKR dhe një pjesë e asambleistëve të LDK-së, shfuqizoi vendimin me të cilin punëtorëve të administratës komunale u ishte njohur e drejta në kompensim për shujtë në shumën prej 50 euro në muaj.

Ky vendim, sipas bindjes sime profesionale, cenon drejtpërdrejt interesat e punëtorëve të administratës komunale dhe përbën veprim të gabuar juridik, institucional dhe politik. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një vendim që ka ekzistuar prej vitit 2010, që nuk ishte shfuqizuar asnjëherë më parë dhe mbi bazën e të cilit gjykatat tashmë kanë njohur të drejtat e punëtorëve.

Në cilësinë e avokatit, ndihem krenar që kam përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e më shumë se 300 punëtorëve të administratës komunale, duke fituar rastet në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ndërsa Gjykata e Apelit i ka vërtetuar aktgjykimet e shkallës së parë. Deri më tani janë fituar dhe realizuar të drejtat e punëtorëve për pesë padi për secilin, ndërsa numri i rasteve të fituara ka kaluar mbi 1500, me pritje që të fitohen edhe rreth 1000 raste të tjera.

Është për keqardhje që Komuna e Mitrovicës, edhe pse është plotësisht në dijeni për qëndrimin e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit, në vend që t’i kompensojë punëtorët mbi bazën e vendimit të saj dhe aktgjykimeve gjyqësore, vazhdimisht i kundërshton këto aktgjykime përmes përfaqësuesve të saj, ndërsa sot shkoi edhe një hap më tej duke e shfuqizuar vetë bazën e kësaj të drejte.

Kjo është edhe më e rëndë politikisht, sepse partia në pushtet në Mitrovicë gjatë fushatave zgjedhore ka proklamuar orientim të majtë dhe mbrojtje të interesave të punëtorëve, ndërsa në praktikë vepron në drejtim të kundërt nuk i kompenson punëtorët, i kundërshton në gjykatë dhe në fund shfuqizon vendimin që ua njihte të drejtën.

Megjithatë, kjo çështje nuk përfundon këtu. Si avokat, do të jem në dispozicion të punëtorëve të administratës komunale për t’i mbrojtur të drejtat e tyre edhe më tej, përfshirë paraqitjen e padisë kundër vendimit për shfuqizim.

Jam i bindur se edhe kjo betejë juridike do të fitohet, sepse të drejtat e fituara, siguria juridike dhe aktgjykimet e gjykatave nuk mund të zhbëhen me votim politik.

Punëtorët nuk duhet të paguajnë çmimin e vendimmarrjes së gabuar të Komunës.

JU REKOMANDOJMË