Policia e Kosovës ka arrestuar personin e dyshuar për therjen me thikë të një të riu, ngjarje e cila ndodhi në orët e para të mëngjesit të së premtes në Mitrovicën e Jugut.
Sipas njoftimit të Policisë, pas veprimeve operative dhe hetimore është arrestuar një mashkull madhor, i dyshuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Sipas hetimeve fillestare, rreth orës 01:30 të datës 18 korrik 2026, i dyshuari dyshohet se ka sulmuar me një mjet të mprehtë (thikë) një mashkull kosovar, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Viktima fillimisht ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia ka sekuestruar një thikë, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale.
Me vendim të prokurorit kompetent, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë nga Sektori Rajonal i Hetimeve.







