Maqedonci tha se Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Financave janë në koordinim për të gjetur një zgjidhje lidhur me pagesën e orëve shtesë për ushtarët.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se Ministria që ai udhëheq është në koordinim me Ministrinë e Financave për të gjetur një zgjidhje lidhur me pagesën e orëve shtesë për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, borxhi ndaj të cilëve është rreth 3 milionë euro.
“Ne jemi në koordinim, normalisht që duhet të bëjmë një analizë të përbashkët sepse ne kemi buxhetin tonë të dedikuar për atë çështje, mirëpo edhe Ministria e Financave duhet të mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes për atë çështje. Ne jemi në koordinim, unë besoj që do të gjendet një zgjidhje për të, mund të themi, zgjidhur këtë problem edhe pse, siç e thashë, prapëseprapë ne kemi bërë hapa të ndryshëm në zhvillim, kemi bërë rritje të pagave, kemi bërë shumë hapa në mënyrë që të lehtësojmë aspektin e nevojave të pjesëtarëve tanë, mirëpo normalisht që duhet të kujdesemi që edhe kjo çështje të zgjidhet, siç janë zgjidhur shumë çështje të tjera“, ka thënë Maqedonci në një intervistë për Ekonomia Online.
Maqedonci theksoi se kanë adresuar “kërkesat e nevojshme te Ministria e Financave për të marrë buxhet shtesë sepse dihet që është një kufizim në nivel qeveritar përmes një ligji që lejon vetëm 1% të buxhetit të shpenzohet për këto çështje, pra për pagesat shtesë”.
“Prandaj ne detyrohemi që të kërkojmë mjete shtesë, pra nga Qeveria, nga Ministria e Financave në mënyrë që të mbulojmë këtë aspektin e mungesës që kemi të mjeteve shtesë”.
Plot 2 milionë e 869 mijë e 999 euro u ka mbetur shteti borxh vetëm në vitin 2025 pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për orët shtesë që nuk ua ka paguar.
Zyra Kombëtare e Auditorit ka prezantuar të gjetura shqetësuese për gjendjen e ushtarëve, të cilët, sipas ZKA-së, disa prej tyre janë kompensuar me ditë pushimi vetëm për aq “sa zhvillimi i aktiviteteve operative të FSK-së të mos ndikohet/pengohet”.
Për më tepër, kur Ministria e Mbrojtjes ka bërë kërkesë për ndarje të buxhetit shtesë për të paguar orët shtesë të ushtarëve, Ministria e Financave nuk i ka mbështetur.
“Ministria, për punën e kujdestarive ka paguar pjesëtarët e FSK-së, vetëm për muajin janar 2025. Po ashtu, kompenzimi me ditë pushimi, gjatë vitit është bërë për aq sa zhvillimi i aktiviteteve operative të FSK-së të mos ndikohet/pengohet. Ministria kishte bërë kërkesë në vazhdimësi në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për ndarje të buxhetit shtesë për përmbushjen e obligimeve, por kjo kërkesë nuk kishte gjetur mbështetje. Bazuar në këto kërkesa vërehet se vlera e kujdestarive të papaguara për pjesëtarët e FSK-së për vitin 2025 kishte arritur 2,869,999€, dhe për shkak të mospagesës kishte filluar procesi i padive nga pjesëtarët e FSK-së ndaj Ministrisë”, thotë Auditori në të gjeturat e tij.








