Dy pjesëtarë të ushtrisë amerikane janë vrarë dhe një tjetër rezulton i zhdukur në veprim, njoftoi të shtunën Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), duke shënuar viktimat e para ushtarake amerikane në luftën me Iranin që nga muaji mars, ndërsa sulmet mes dy vendeve janë përshkallëzuar.
“Më 17 korrik, dy pjesëtarë të ushtrisë amerikane në Jordani ranë në krye të detyrës, ndërsa Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) dhe forcat partnere po mbronin pozicionet kundër sulmeve iraniane me raketa balistike dhe dronë. Përveç kësaj, një pjesëtar tjetër i ushtrisë aktualisht rezulton i zhdukur në veprim”, tha CENTCOM në një postim në rrjetet sociale.
Katër ushtarakë të tjerë amerikanë u evakuuan për trajtim mjekësor në spitale në Jordani, por më pas janë liruar, sipas CENTCOM. Personel tjetër pësoi lëndime të lehta dhe është rikthyer në detyrë, raporton CNN.
CENTCOM tha se do të mbajë të fshehta identitetet e ushtarëve të vrarë deri 24 orë pasi familjarët e tyre më të afërt të jenë njoftuar.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC), në një deklaratë të publikuar më herët të shtunën, mori përgjegjësinë për sulmet ndaj një baze të përdorur nga forcat amerikane në Al-Azraq të Jordanisë. IRGC pretendoi se kishte “shkatërruar plotësisht” disa avionë gjatë sulmit, i cili sipas saj u krye me raketa dhe dronë.
Me këto vdekje, numri i pjesëtarëve të ushtrisë amerikane që kanë humbur jetën në konfliktin gati pesëmujor arrin në 15.
Gjashtë ushtarë rezervistë të Ushtrisë Amerikane u vranë më 1 mars nga një sulm i drejtpërdrejtë iranian ndaj një qendre të përkohshme operacionesh në portin Shuaiba të Kuvajtit. Disa ditë më vonë, një rreshter i ushtrisë vdiq pasi kishte pësuar plagë gjatë një sulmi në Arabinë Saudite.
Viktimat e fundit amerikane ishin më 12 mars, kur gjashtë pjesëtarë të ushtrisë humbën jetën pasi një avion cisternë i Forcave Ajrore të SHBA-së KC-135 Stratotanker u rrëzua në perëndim të Irakut, megjithëse incidenti “nuk ishte rezultat i zjarrit armik apo zjarrit mik”.
Humbjet e fundit vijnë në një kohë kur armëpushimi i brishtë mes Iranit dhe SHBA-së praktikisht është shembur këtë javë, pasi të dyja palët kanë shkëmbyer sulme. Sulmet vdekjeprurëse amerikane janë pasuar nga valë dronësh dhe raketash iraniane, duke zgjeruar numrin e objektivave në vendet që strehojnë baza amerikane.
Më herët të shtunën, zyrtarët iranianë thanë se 12 iranianë u vranë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të vdekurve në fazën e fundit të luftës në 50. Një zëvendësguvernator në provincën Hormozgan të Iranit tha se një impiant për shkripëzimin e ujit ishte shkatërruar nga një sulm amerikan me raketa. Ushtria amerikane ende nuk i është përgjigjur këtij pretendimi.








