Komuna e Mitrovicës së Veriut ka humbur mundësinë të arkëtojë mbi 25 mijë euro të hyra komunale për shkak të llogaritjeve të pasakta dhe moszbatimit të procedurave ligjore, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2025 të publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).
Sipas raportit, njëra nga parregullsitë lidhet me një leje ndërtimi për një objekt banimi kolektiv të kategorisë së dytë me sipërfaqe prej 12 mijë e 580 metrash katrorë.
Auditori ka konstatuar se komuna ka inkasuar 20 mijë e 883 euro për këtë leje, ndonëse sipas tarifave të përcaktuara me rregullore duhej të arkëtonte 38 mijë e 621 euro, si pasojë e përllogaritjes së gabuar, komuna ka mbetur pa inkasuar 17 mijë e 738 euro. Sipas ZKA-së, kjo ka ndodhur si rezultat i pakujdesisë së zyrtarëve përgjegjës dhe mungesës së kontrolleve të mjaftueshme të brendshme.
Një tjetër gjetje e auditorit ka të bëjë me moskërkimin e lejes mjedisore për të njëjtin projekt ndërtimor, përcjell Klankosova.tv.
Raporti thekson se Drejtoria e Urbanizmit nuk ka kërkuar lejen mjedisore komunale, duke bërë që të mos llogaritet dhe inkasohet as tarifa përkatëse.
Për projektin, vlera e të cilit arrinte në 3 milionë e 774 mijë e 180 euro, duhej të paguhej një taksë mjedisore prej 7 mijë e 548 euro. Por, sipas auditorit, kjo shumë nuk është faturuar dhe rrjedhimisht nuk është arkëtuar nga komuna.
ZKA vlerëson se moszbatimi i procedurave për leje mjedisore jo vetëm që ka ndikuar në humbjen e të hyrave komunale, por mund të ketë pasoja edhe në respektimin e kërkesave që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e mbetjeve të ndërtimit.
Në total, sipas gjetjeve të auditimit, komuna nuk ka realizuar 25 mijë e 286 euro të hyra nga këto dy raste.
Për gjetjet e evidentuara, Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar Komunës së Mitrovicës së Veriut forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe zbatimin e plotë të procedurave ligjore për llogaritjen dhe inkasimin e tarifave komunale.







