Eksperti i çështjeve të energjisë, Luan Shllaku, ka thënë se refuzimi i gazit amerikan nga Kosova është ide e keqe dhe ide të cilën ai nuk mund ta arsyetoj.
Sipas tij Fondi për Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) ka ofruar financim për rindërtim të trasesë së gazit nga Shkupi deri në Obiliq.
“MCC është organizatë si USAID-i, e cila i shpenzon paratë e taksapaguesve amerikanë për projekte zhvillimore nëpër botë dhe i vetmi vend ne Evropë ku MCC është preznete ka qenë Kosova dhe kjo ka qenë një dhurate e madhe të cilën na e kanë bërë amerikanët. MCC-ja meqenëse e ka zgjedhur mbështetjen e energjetikës kosovare, ajo i ofron Kosovës tri mundësi ku mund të ndihmonte dhe të financonte, dhe njëra prej mundësive ishte ta bënte lidhjen nga Shkupi deri në Kosovë, kudo ku ne duam ta kemi gazin”, ka theksuar Shllaku në emisionin “Konfront” në KTV.
“Deri në Shkup ekziston linja, por e bukura e krejt kësaj është që linja nga Obiliqi deri në Shkup ekziston, kjo linjë e gazit, sepse nga vitin 1970 deri në vitin 1989, kur ne kemi operuar, kemi pasur fabrikën e gazifikimit, ku kemi prodhuar gaz nga linjiti, dhe një prej destinacioneve ku e kemi shitur gazin ka qenë Shkupi”, ka shtuar Shllaku.
Ai ka thënë se MCC-ja është ofruar për të rindërtuar gypat, pasi sipas tij ata janë vjetruar, por se sipas tij kjo do të ishte e lehtë pasi tanimë ekziston një trase.
Shllaku ka thënë se për këtë amerikanët kanë bërë edhe një studim parafizibiliteti dhe janë shprehur të gatshëm të investojnë për rindërtim të trasesë deri në Shkup.







