Një 30-vjeçar ka mbetur i plagosur pas një sulmi me thikë në orët e para të mëngjesit në Mitrovicë, ndërsa i dyshuari është arrestuar pak minuta më vonë nga Policia
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është B.R, rreth 24-vjeçar, ndërsa viktimë B.M, rreth 30-vjeçar.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur më 18 korrik, rreth orës 01:20, në rrugën “Artim Jashari” në Mitrovicë.
Policia është njoftuar fillimisht se në Spitalin Rajonal ishte dërguar një person i plagosur. Në vendngjarje, zyrtarët kanë kontaktuar me viktimën, e cila kishte plagë në kokë dhe nën kraharorin e majtë, që dyshohet se janë shkaktuar me thikë.
Motivi i sulmit ende nuk dihet, ndërsa hetimet janë në fazën fillestare.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është arrestuar në rrugën “Artim Jashari”, pranë Poliklinikës “Fati”, në afërsi të shtëpisë së tij dhe është shoqëruar në stacion policor.
Në vendin e ngjarjes, hetuesit dhe krimteknikët kanë sekuestruar një thikë, një telefon celular, si dhe një motoçikletë, të cilën, sipas dëshmitarëve, e drejtonte viktima në momentin e incidentit.
Pas testimit me alkool, i dyshuari rezultoi me 1.48 promil alkool në gjak. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar, ndërsa për shkak të gjendjes së tij alkoolike është mbajtur nën mbikëqyrje deri në krijimin e kushteve për procedurat e mëtejshme hetimore.
Rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë” dhe hetuesit po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave, përfshirë sigurimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë.








