Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se janë shkëputur kontratat e punës për 20 zyrtarë të ministrisë nga komuniteti serb, të njohur edhe si pjesë e ish-“Mbrojtjes Civile”.
Sipas Pacollit, vendimi është marrë për shkak të mungesës së vazhdueshme të tyre në vendin e punës dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Ajo ka bërë të ditur se, bazuar në evidencat zyrtare, këta zyrtarë ishin të punësuar në ish-Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që nga 5 janari 2016, por nuk kishin përmbushur detyrimet që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, përfshirë mungesën e vazhdueshme në vendin e punës dhe mosrespektimin e detyrave zyrtare.
“Do të vendosim ligjshmëri të plotë dhe standarde të njëjta për secilin në administratën publike. Askush nuk mund ta mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që i takojnë. Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse shërbimi publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe respektim të plotë të detyrës zyrtare”, ka deklaruar Pacolli.






