Një shofer është arrestuar gjatë natës së sontme, pasi ka tentuar t’u shmanget njësive policore duke rrezikuar seriozisht zyrtarët policorë dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur fillimisht në zonën e Obiliqit, ku një njësi policore ka tentuar të ndalojë një automjet të dyshimtë. Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit për ndalim dhe ka vazhduar lëvizjen në drejtim të Vushtrrisë e më pas në Mitrovicë.
Në koordinim me njësitet e Stacionit Policor në Obiliq, ndjekja ka vazhduar nga Njësia e Trafikut Rrugor të Mitrovicës së Jugut, të cilët kanë përdorur vazhdimisht sinjalizime për ndalim. Gjatë ndjekjes, shoferi ka rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik dhe, në tri lokacione të ndryshme në Mitrovicë, ka goditur tri herë veturën zyrtare të Policisë që ishte në ndjekje.
Falë profesionalizmit dhe veprimit të matur të zyrtarëve policorë, automjeti është ndalur në rrugën nacionale Mitrovicë–Zubin Potok, përkatësisht në segmentin rrugor në fshatin Zupç, pa rrezikuar qytetarët. Në këtë lokacion janë arrestuar shoferi dhe tre pasagjerë që ndodheshin në automjet.
Si pasojë e incidentit, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor.
Me vendim të prokurorit kompetent, ndaj shoferit është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.







