Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se ditët e para të javës mund të sjellin ndryshime të shpejta atmosferike, me mundësi për reshje lokale, breshër dhe erëra të forta në disa zona të vendit.
Sipas IHMK-së, kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të favorshme, por gjatë reshjeve mund të shfaqen shqetësime të përkohshme për shkak të zhvillimeve të paqëndrueshme të motit.
Reshjet e mundshme në fillim të javës pritet të jenë të dobishme për kulturat bujqësore, megjithatë autoritetet meteorologjike kanë paralajmëruar se në zona të izoluara ekziston rrezik nga breshëri dhe përforcime të erës.
Nga mesi i javës, temperaturat pritet të shënojnë rritje, duke sjellë ngarkesë më të madhe termike, veçanërisht gjatë orëve të mesditës dhe pasdites. E enjtja dhe e premtja pritet të jenë ditët më të nxehta.
IHMK ka këshilluar qytetarët që të shmangin qëndrimin e gjatë në diell, veçanërisht nga ora 11:00 deri në 16:00, si dhe të përdorin mbrojtje ndaj rrezatimit diellor për shkak të indeksit të lartë UV.
Për fermerët rekomandohet kujdes i shtuar gjatë ditëve të nxehta, pasi rritja e temperaturave do të shtojë nevojën për ujë te kulturat bujqësore, veçanërisht te misri, perimet dhe pemishtet. Ujitja këshillohet të bëhet në orët më të freskëta të ditës, kryesisht në mëngjes herët.







