SHËRBIMI I TRANSFEREVE Gruan e drejtorit të burgjeve e merr në punë Albulena Haxhiu në Presidencë

Publikuar më:

Ganimete Dibrani, gruaja e Ismail Dibranit, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, tash punon në institucionin që Albulena Haxhiu drejton, në dikasterin e burimeve njerëzore.
Ismail Dibrani dhe Albulena Haxhiu
Një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Albulena Haxhiut, sa ishte në Ministrinë e Drejtësisë, e ka forcuar shoqërinë me ish-shefen edhe tash, kur ajo është pjesë e Presidencës.

Ganimete Dibrani, gruaja e Ismail Dibranit, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, tash punon në institucionin që Albulena Haxhiu drejton, në dikasterin e burimeve njerëzore.

VOX Kosova mëson se bashkëshortja e drejtorit të SHKK-së këtë transferim e ka bërë nga Ministria e Ekonomisë, e drejtuar nga Artane Rizvanolli, në Presidencë.

Lidhja e “fortë” mes Albulena Haxhiut dhe Ismail Dibranit nuk është e dukshme vetëm nga takimet formale dhe fotografitë protokollare.

Ismail Dibrani ishte po ashtu drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës kur, në përgjimet e Faruk Mujkës, të publikuara nga VOX Kosova më 19 dhjetor 2025, del si i instrumentalizuar nga Mujka dhe ministrja e atëhershme e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për ngritjen e militantit të Vetëvendosjes, Vëllaznim Mustafa, në pozitë, ndonëse ky i fundit nuk kishte kaluar as testin me shkrim, madje as nuk i lejohej të hynte në test për t’u bërë mbikëqyrës.

Dibrani shihet të ketë luajtur një rol kyç edhe në kthimin e militantit të VV-së në pozitën e mbikëqyrësit, pasi ishte larguar për një periudhë.

Me marrjen e detyrës si ushtruese e detyrës së Presidencës, Albulena Haxhiu ka bërë disa transfere nga Ministria e Drejtësisë në Presidencë, por edhe në Kuvendin e Kosovës.

Transferi i fundit ishte ai i Feride Podvoricës, bashkëpunëtore e afërt në Ministrinë e Drejtësisë, e cila tash është emëruar ushtruese e detyrës së Sekretares së Përgjithshme të Kuvendit të Kosovës.

VOX Kosova ka tentuar të komunikojë me Ismail Dibranin, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

JU REKOMANDOJMË