Të shtënat me armë në një aheng familjar në fshatin Rekë të Mitrovicës kanë alarmuar Policinë, e cila ka ndërhyrë menjëherë dhe ka nisur hetimet për rastin.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është A.M. (26 vjeç).
Sipas informacioneve, Policia ka pranuar një njoftim se gjatë një dasme po dëgjoheshin të shtëna me armë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, njësia e hetimeve dhe ekipi i forenzikës, të cilët gjatë këqyrjes kanë sekuestruar nëntë gëzhoja dhe një fishek si prova materiale.
Më pas, A.M është paraqitur vullnetarisht në Polici dhe ka dorëzuar një pistoletë me gaz të kalibrit 9 mm, së bashku me një karikator të zbrazët.
Nga ekzaminimet fillestare është konstatuar se fisheku i gjetur në vendngjarje përputhet me armën e dorëzuar nga i dyshuari, ndërsa nëntë gëzhojat e tjera nuk përputhen me atë armë, çka ka ngritur dyshime për përdorimin e një arme tjetër gjatë ahengut.







