Sekretari i KEK-ut, Lulzim Zeqiri, i cili vjen nga Mitrovica, ka treguar publikisht se ka ndikuar në punësimin e një djali në institucionin ku ai punon, e të cilit i kishte premtuar para 6 muajsh.
Më 18 qershor të vitit të shkuar, vetë Zeqiri kishte thënë se do të flas me drejtorin e KEK-ut Njazi Thaçin, për të ndihmuar të riun nga Vushtrria që të hyjë në punë në KEK, shkruan “Jepi zë”.
“Nuk është e lehtë të punësohesh dikund dhe të mos njofesh dikend, të paktën të referohesh nga dikush. Jetmiri, se ka atë fat! E mora edhe në zyre për kafe dhe biseduam se bashku edhe me drejtorin Njaziun, për mundësitë tona, që ti dalim në ndihmë një djali si Jetmiri. Qytetarët e Kosovës, më së shumti kanë nevojë për punesim, por mbi të gjitha për trajtim të barabartë në konkurrencë. Jetmirit, i premtuam se do të bëjmë të pamundurën, që ai të trajtohet si duhet në konkurrimet e tij për punë duke e përfshi edhe kompaninë tonë publike”, shkruante Zeqiri në vitin 2019.
Ndërkohë, sot vetë Zeqiri e ka konfirmuar se njeriu që u takua me të dhe mori premtim publik, është bërë punëtor i KEK-ut.
“Sot është dita e fundit për Jetmirin, që do të shes cigare! Jetmiri është pranuar në punë tek ne. I premtova para sa muajve, se do ti dalim në ndihmë për shkak të gjendjes së rëndë sociale të tij dhe familjes së tij. Ndihmesa jonë ishte shumë modeste. Trajtimi i barabartë dhe korrekt, ishte e tëra çka kërkuam nga komisionet përkatëse. Ndërsa, Jetmiri tregojë rezultat shumë pozitiv. Të lumtë Jetmir për rezultatin e arritur. Urime, shëndet dhe suksese në punë”, shkruan sot Zeqiri.
Sidoqoftë, rasti i djaloshit nga Vushtrria ka prekur të gjithë, madje edhe komentuesit në profil të Zeqirit të cilët e kanë përgëzuar “që e ka marrë në punë”.
Mirëpo, vlen të theksohet se kjo gjë nuk është në përputhje me ligjin, pasi për raste sociale Kosova ka mekanizma të shumtë për t’u dalë në ndihmë njerëzve në këtë nevojë. Punësimi, vetëm se kanë një gjende sociale të rëndë, nuk parashihet me ligj.
Madje, çka bie në sy, është se vetë Zeqiri e pranon se në Kosovë nuk mund të pranohet dikush në punë pa të njofshëm, ani pse ai është sekretar në një institucion ku së fundmi u pranuan qindra punëtorë. Kjo tingëllon edhe si një autokritikë meqë mbanë pozitë në një institucion publik.
Ndryshe, Zeqiri vjen nga PDK dhe ka pasur pozitë si drejtor i Inspektoratit në Mitrovicë. Pas humbjes së PDK është “rehatuar” si këshilltar i Kadri Veselit, ndërsa pak kohë me parë është bërë sekretar në KEK.