Rritja e rrogave për 50% dhe marrëveshja për gazin amerikan do të jetë kusht kryesor i PDK-së për koalicion me VV-në

Publikuar më:

Rritja e rrogave për 50% dhe pranimi i marrëveshjes për Gazin Amerikan thuhet se janë kusht për çdo marrëveshje pas zgjedhjeve për koalicion në mes të PDK-së dhe VV-së.

Burimet e Gazetës Metro brenda PDK-së kanë bërë të ditur se këto do të jenë kërkesat kryesore për Albin Kurtin në takimet që pritet të mbahen pas shpalljes së rezultateve përfundimtare.

Gjatë fushatës për zgjedhjet e qershorit në programin e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës, ishte premtuar që pagat të rriten për 50%, për shkak që, siç thoshte ai, qytetarët e Kosovës meritojnë më shumë mbështetje dhe siguri financiare.

“Do të ketë rritje të pagave prej 50 për qind dhe kjo do të jetë e përhershme. Nuk do të jetë ndihmë vetëm gjatë fushatave zgjedhore, por një rritje e qëndrueshme, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë planifikim dhe parashikueshmëri financiare”,kishte deklaruar Hamza.

Ndërkaq, çështja e Gazit Amerikan është kthyer në temë diskutimi javëve të fundit, pasi e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, i bëri thirrje Kosovës të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes projektit për gazin e lëngshëm natyror (LNG), duke thënë se kjo do t’i ndihmonte ta sigurojë të ardhmen e vet energjetike, gjë kjo që po kundërshtohet nga Qeveria e Kosovës.

Nga zgjedhjet e mbajtura më 7 qershor, asnjëra parti nuk arriti të marrë rezultatet e nevojshme për krijimin e qeverisë pa marrëveshje politike. Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje arriti të marrë 42,96%, Partia Demokratike e Kosovës 21,13%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17,60%, ndërsa Aleanca 7,16%.

JU REKOMANDOJMË