Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas vdekjes së veteranit të UÇK-së, Sahit Jashari, duke e cilësuar atë si një nga çlirimtarët e orëve të para, bashkëluftëtar besnik dhe simbol të qëndresës shqiptare.
Lladrovci ka theksuar se Sahit Jashari ishte i pandashëm nga vizioni i komandantit legjendar Adem Jashari, i Hamëz Jashari dhe i njësitit të parë të armatosur çlirimtar.
Ai ka kujtuar se familja Jashari dhe lagjja heroike në Prekaz përbënin një kala të pamposhtur të lirisë, duke i bërë ballë të gjitha sulmeve dhe duke mbetur simbol i sakrificës për çlirimin e Kosovës.
Duke rikujtuar miqësinë dhe bashkëpunimin e hershëm me Sahit Jasharin, Lladrovci ka përmendur edhe një aksion kundër komandantit të policisë në Skenderaj, ku morën pjesë së bashku me Adem Jashari, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Sami Lushtaku, Fadil Kodra, Zenun Kodra dhe Ilaz Kodra.
Sipas Lladrovcit, pikërisht në atë aksion ai pa nga afër trimërinë, vendosmërinë dhe durimin e Sahit Jasharit.
Kryetari i Drenasit ka vlerësuar se edhe pas rënies heroike të familjes Jashari dhe humbjes së 13 anëtarëve të familjes së tij, Sahit Jashari nuk u ndal në rrugën e tij, por vazhdoi misionin çlirimtar me edhe më shumë vendosmëri.
“Jeta dhe vepra e tij janë të pandashme nga historia jonë e re. Sahit Jashari ishte një trim i rrallë i Drenicës dhe një kreshnik i kombit. Kosova dhe kombi shqiptar sot janë më të varfër për një besnik të jashtëzakonshëm, ndërsa ai i bashkohet përjetësisë së më të mirëve të kombit”, ka shkruar Lladrovci.
Ai e ka mbyllur homazhin me fjalët: “Kujtimi për Sahit Jasharin do të jetë i përjetshëm. Lavdi!”.








