Prof. Asllan Murati, njeriu i cili i solli eshtrat e Isa Boletinit në Mitrovicë!

Publikuar më:

Mulla Asllan Murati, i njohur në popull si “hoxha i Zhabarit”, është ndër njohësit e rrallë të vlerave kombëtare dhe patriotike shqiptare, që ka kombinuar luftën revolucionare kombëtare me religjionin islam. Ishte bashkëveprimtar i ngushtë i profesor Latif Berishës, i vrarë nga forcat serbe në shtëpinë e tij në luftën e vitit 1999, me të cilin e kishte filluar një projekt të rëndësishëm kombëtar, të ideuar nga ish-presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Projekti ishte nxjerrja e eshtrave nga varri të patriotit shqiptar Isa Boletini nga Mali i Zi, së bashku me eshtrat e djemve të tij dhe të bashkëluftëtarëve.

Mulla Asllan Murati kontribuoi më së shumti në gjithë këtë proces të rëndë e të vështirë, pasi që iniciativat e mëparshme të Kosovës në kohën e ish-komunistëve, të Fadil Hoxhës me shokë, kishin dështuar. Politikanët malazias kishin marrë vendim se eshtrat e Isa Boletinit nuk mund të ktheheshin në Kosovë për dy arsye:
Një, se Isa Boletini ishte vrarë në pabesinë malazeze, gjë që sipas akademikëve malazias nuk ishte në traditën e tyre dhe, dy, se Isa Boletini ishte njeri i Austro-Hungarisë, e që ishte armike e Malit të Zi.
Pas dështimit diplomatik komunist që eshtrat e Isa Boletinit të tërhiqeshin nga Mali i Zi në Kosovë, dr. Ibrahim Rugova, nëpërmjet veprimtarit të LDK-së, profesor Latif Berishës, kishin akredituar prof. Asllan Muratin, si njeriun e duhur për t’i hyrë realizimit të këtij projekti, me çka do të rehabilitoheshin eshtrat e Isa Boletinit.
Dhe, për fat të mirë, vepra u realizua dhe këtë gëzim e kishin përjetuar profesor Latif Berisha dhe Ibrahim Rugova, por edhe të gjithë shqiptarët.
Kthimin e eshtrave të Isa Boletinit në rrethana lufte e bëri mulla Asllani.

Ai, po ashtu, 18 vjet rresht bëri jetë me ata eshtra dhe ishte kujdestari i Isë Boletinit, duke e ruajtur në “varr sekret”, e herë duke e zhvarrosur e varrosur në varr të ri, madje duke e mbajtur edhe në shtëpi shumë vjet.


Mulla Asllan Murati është më i merituari që sot Isa Boletini pushon në pronën e tij.
Por, ka diçka që mulla Asllan Muratin e ngrit edhe si artist të kohës, edhe si poet, edhe si patriot, që nuk e ka të njohur opinioni:
Ai ka folur shpesh me Isa Boletinin te “varri” i tij, ka folur pa e pa askush, duke iu drejtuar Isës për kohën dhe ngjarjet. Rrëfimi më i fuqishëm i hoxhë Muratit, drejtuar me fjalë e lot Isa Boletinit, megjithatë, ka ndodhur me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 2008, kur ai i drejtohet me fjalët:
“O Isa Boletini u përmbush amaneti yt!”.

Hoxha i Mitrovicës, Asllan Murati, ka ndërruar jetë me datë 03.10.2019.
Murati ishte një atdhetar i pashoq, kontributi i tij atdhetar, intelektual e fetar do të vlerësohet brez pas brezi në Mitrovicë dhe gjithë Kosovën.

JU REKOMANDOJMË