Preteni: Personat të cilët dyshohet se kanë kryer aktin ishin të maskuar dhe ende janë të paidentifikuar e në kërkim

Publikuar më:

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen në Runik të Skenderajt, ku mbeti i vdekur një person dhe tre të plagosur.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, zëdhënësi i prokurorisë, Valon Preteni ka thënë se personat të cilët dyshohet se kanë kryer aktin ishin të maskuar dhe ende janë të paidentifikuar e në kërkim.

Ai ka theksuar se ende nuk dihet motivi që ka çuar deri në këtë akt teksa rasti po trajtohet si “Vrasje e rëndë”.

“Prokurori i rastit ka dalë në terren, nga të dhënat e deri tanishme dyshohet se dy persona të maskuar kanë hyrë në kafiteri ku nga të shtënat një person ka mbetur i vdekur. Personat e dyshuar janë ende të paidentifikuar dhe në kërkim. Nuk ka ende informacione se cili ka qenë motivi. Rasti po trajtohet si vrasje e rëndë” – ka thënë Preteni.

Më herët, Shaqir Uka, shef i repartit të Intensivës në QKUK, ka bërë të ditur se njëri nga të plagosurit në incidentin në Runik të Skenderajt është në gjendje më të rëndë nga lëndimi që ka marrë nga arma e zjarrit në regjionin e gjurit, dhe për këtë arsye gjatë një intervenimi kirurgjik është dashur t’i amputohet pjesa e nëngjurit të këmbës së djathtë.

Ndërsa, për gjendjen e dy të plagosurve të tjerë, drejtori i klinikës së Ortopedisë në QKUK, Gani Jashanica, për Portalin Dukagjini  ka thënë se janë duke i trajtuar, pasi njëri ka lëndime në pjesën e gjurit dhe shputës, ndërsa tjetri në pjesën e shputës.

Lexo edhe: Njëri nga të plagosurit në Skenderaj në gjendje të rëndë, i amputohet pjesa e nëngjurit të këmbës

Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se një person ka mbetur i vrarë në një kafiteri në fshatin Runik të Skenderajt dhe tre të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri pas mesnatës të së mërkurës.

JU REKOMANDOJMË