Arianit Koci ka bërë thirrje për kujdes ndaj qytetarëve të Kosovës që kalojnë nëpër Serbi, pasi ka publikuar rrëfimin e një qytetari, i cili pretendon se është kërcënuar dhe detyruar t’u japë 2.000 euro policëve serbë në pikën kufitare Batrovci/Bajakovo, shkruan “Jepi zë”.
Sipas Kocit, qytetari me emrin Illiri e ka kontaktuar mbrëmjen e sotme, ndërsa ai thotë se ia ka verifikuar identitetin dhe se posedon dokumentet e tij.
Bazuar në pretendimet e qytetarit, rreth orës 16:30, gjatë daljes nga Serbia në pikën kufitare Batrovci/Bajakovo, ai dhe familja e tij janë ndaluar për kontroll dhe janë dërguar në një garazh brenda zonës kufitare, ku ndodheshin të paktën pesë policë.
Sipas rrëfimit të tij, policët kanë kontrolluar telefonat e familjes dhe kanë shikuar fotografitë, ndërsa pasi në telefonat e fëmijëve janë gjetur fotografi me flamurin shqiptar dhe të UÇK-së, ai pretendon se është kërcënuar me arrestim.
Qytetari pretendon se më pas është kërcënuar se do të dërgohej në paraburgim në Beograd dhe se fëmijët e tij do të mbeteshin vetëm, nëse nuk u jepte policëve 2.000 euro. Ai thotë se, nga frika, ua ka dhënë shumën e kërkuar.
Koci thekson se identitetin e qytetarit e ka verifikuar, por shton se nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet për mënyrën se si ka ndodhur ngjarja.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që pretendojnë se kanë përjetuar trajtim të ngjashëm gjatë kalimit nëpër Serbi që ta kontaktojnë atë, si dhe të njoftojnë stacionin më të afërt policor dhe Ambasadën e Kosovës në shtetin ku jetojnë.
Sipas Kocit, nëse rezulton se ka raste të tjera me elemente të njëjta, ato duhet të dokumentohen dhe të ndiqen përmes rrugëve ligjore.






