Policia godet drogamanët në Vushtrri: Kapën 75 kilogramë drogë në Dobërllukë

Publikuar më:

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth aksionit të zhvilluar dje e sot ku janë sekuestruar sasi e madhe drogës dhe parave.

Në një konferencë për media është bërë e ditur se në këtë aksion janë arrestuar 5 persona dhe janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e drogës, parave, telefonave dhe disa vetura.

Drejtori për hetime narkotike, Reshat Murseli ka bërë të ditur se aksioni ka nisur mesditën e djeshme dhe ka përfunduar sot me arrestimin e personit të pestë.

Në total janë sekuestruar 74 kilogram e 944 gram drogë.

“Hetimet kanë nisur 4 muaj më parë, janë arrestuar 5 persona. Operacioni policor ka filluar në orët e pasdites së djeshme. Policia ka arritur dje ta arrestojë të dyshuarin në fshatin Dobërlluk të Vushtrrisë. Në momentin e arrestimit ai ka sulmuar fizikisht edhe zyrtarët policorë. Më pas është bërë kontrolli i bagazhit të veturës dhe janë gjetur sasi të marihuanës rreth 20 kilogramë. Në shtëpinë e tij nuk është gjetur asgjë e dyshuar. Duke pasur prova se nga ishte nisur droga, hetuesit policorë janë nisur drejt shtëpisë së të dyshuarit të dytë. 50 paketime të mbushura me marihuanë të fshehura në disa bure. Pesha e tyre është 55 kg. Janë gjetur edhe 193 fishekë dhe janë sekuestruar vetura Golf 6, Shkoda, Passat dhe sasi parashë. Në Prishtinë janë arrestuar edhe tre persona të cilët dyshohet se janë pjesë e gruçit kriminal. Sot në Ferizaj është arrestuar edhe i dyshuari i pestë. Sasia e drogës dyshohet se ka ardhur nga vendet fqinje dhe ishte destinuar drejt BE-së”, tha ai.

JU REKOMANDOJMË