Hajnat në Vushtrri vjedhin skele dhe material ndërtimor me vlerë deri në 20 mijë euro

Publikuar më:

Një vjedhje e rëndë është raportuar në Vushtrri, ku persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur një sasi të madhe skelash dhe materialesh ndërtimore nga një kompani që po kryente punime fasadimi.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se vjedhja ka ndodhur në rrugën “Skënderbeu”, në intervalin kohor nga 7 korriku, ora 17:00, deri më 9 korrik, ora 09:00.

Siç mëson Sinjali, rastin në Polici e ka denoncuar A.O. rreth 45 vjeç, menaxher i kompanisë “Duli” SHPK, e cila ishte duke kryer punime në fasadimin e ndërtesave në atë zonë.

Sipas denoncimit, hajnat kanë arritur të marrin:

60 skela shkelëse,
70 rama skelash,
100 pjesë lidhëse të skelave, si dhe
30 pako stiropor.
Të gjitha skelat, sipas ankuesit, kanë qenë të palosura në momentin e vjedhjes.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se dëmi material i shkaktuar nga kjo vjedhje vlerësohet të jetë nga 17 mijë deri në 20 mijë euro.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e hetimeve të Stacionit Policor në Vushtrri dhe Hetimet Rajonale, të cilat kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë nisur veprimet për identifikimin e autorëve.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar është iniciuar rasti për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

JU REKOMANDOJMË