Korporata Elektroenergjetike e Kosovës (KEK), është një prej punëdhënësve më të mëdhenj në vend. Por, punësimet në KEK janë bërë dhe po vazhdojnë të bëhen në baza partiake, rajonale e familjare si kriter kryesor. Mbi këtë bazë caktohen edhe komisionet per testimin e kandidatëve.
Përgjegjës kryesorë për këto punësime partiake janë: Njazi Thaçi, drejtor menaxhues i KEK-ut; Lulzim Zeqiri, sekretari i KEK-ut, Isak Kerolli, drejtor operativ i KEK-ut dhe Fadil Sejdiu, drejtor i Burimeve Njerëzore në KEK.
Sipas informacioneve të Gazetës Alo, zyrtarët e lartëcekur gjatë vitit 2018 dhe 2019, kanë punësuar disa të afërm të tyre në “Kosova Thëngjill sh. a”. dhe KEK.
Me këtë rast, Faruk Hajrizi, kryesues i Bordit të KEK-ut dhe Izet Ibrahimi, anëtar i Bordit të KEK-ut, që të dytë e kanë punësuar nga një nip të tyre në “Kosova Thëngjill Sh. A”.
Mehdi Pllashniku, anëtar i Bordit, ka punësuar djalin e tij.
Njazi Thaçi dhe Xhafer Gashi kanë punësuar disa familjarë të tyre dhe të gjithë këtyre u kishin dhënë nga një pagë pa qenë në punë fare, vetëm e vetëm që të figuronte që kanë qenë të punësuar më herët para se te merrte vendim bordi që Kosova Thëngjilli të kthehet në KEK.
Përveç punësimeve në ndërmarrjen “Kosova Thëngjill”, udhëheqësit e KEK-ut nuk kanë hezituar që të afërmit e tyre t’i punësojnë edhe në KEK, ndërrmarje që udhëheqet drejtëpërsëdrejti nga ta, duke u rënë kështu në konflikt interesi apo shkelje të ligjit për punësim.
Sekretari i KEK-ut Lulzim Zeqiri ka punësuar dajën e tij Sabri Asllanin në Arkiv të KEK-ut në Drejtori, e në kohën kur ishte punësuar mosha e tij ishte mbi 60-vjeçar.
Punësimet më të mëdha janë kryer nga njeriu i afërt i presidentit të vendit, Hashim Thaçit.
Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi, ka punësuar ne KEK disa familjarë të tij të cilët janë si më poshtë:
– Kunatën e tij (gruan e vëllait), Shqipe Qelajn në Prokurim për të manipuluar me tenderë në Drejtorinë e KEK-ut.
– Vëllain e Shqipes, Shqipërim Qelajn.
– Djalin e axhës së tij e ka punësuar në Drejtori – Toskanë.
– Gruan e mikut të tij, Valonit e ka marrë në Burime Njerëzore në vend të Nexhat Shahinit.
Sipas informacioneve të Gazetës Alo punësimet në baza partiake e familjare në KEK kanë vazhduar edhe gjatë këtij viti.
Gazeta Alo ka kërkuar nga Zyra për Informim në KEK përgjigje në lidhje me punësimet familjare në këto ndërmarrje, por me gjithë premtimet kjo zyr nuk ka kthyer përgjigje.