Në një kohë kur vendi ndodhej në tension politik dhe në pritje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Kurti e shndërroi sigurinë kombëtare në mjet propagande elektorale.
“Të ardhmen e industrisë së mbrojtjes dhe avancimit të dronëve luftarakë po e ndërtojmë e zhvillojmë edhe në Kosovë. Shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon. Në Gjilan, bashkë me kryetarin Hyseni, vizituam kompanitë e prodhimit të dronëve ushtarak “Skifteri” dhe dronët civil, nga “Future Minds Academy” dhe MIGA SkyShield MAR. “Made in Gjilan” përveçse natyrisht “Made in Kosova”. Droni kamikaz “K1”, arrin shpejtësi maksimale prej 180km/h e lartësi deri në 2500 metra. Ndërsa “Skifteri” arrin në 5000 metra lartësi, hapësirë operuese 20km dhe shpejtësi prej 270km/h”, shkruante Kurti në Facebook e tij.
Më tej, ai shkruante me siguri të plotë se “tash dronët luftarakë po i prodhojmë edhe vetë”.
“Në mbrojtje e siguri kemi investuar duke blerë nga shtetet tona mike dhe partnere dronët Bayraktar TB-2, Puma dhe së fundmi dronët kamikazë Skydagger. Tash dronët luftarakë po i prodhojmë edhe vetë. Si qeveri, edhe në nivel qendror edhe lokal, do ta mbështesim dhe përkrahim ngritjen e kapaciteteve dhe prodhimtarisë, gjersa nuk do t’i ndalim investimet për mbrojtje e siguri”, shkruante Kurti.

Ende pa u bërë dy muaj, janë hedhur dyshime në vërtetësinë e këtyre lajmeve.
Dyshimet se dy kompani nga Gjilani mashtruan me prodhimin e një droni kamikaz vazhdojnë të rriten. Videoja e publikuar nga kompanitë kosovare, ku thuhet se droni “Skifter K1” goditi cakun në mbi 1000 km largësi, është e një kompanie kineze, që e ka përdorur më parë për të promovuar fluturaken e saj.
Videot që pronari i “Future Minds Academy” ka përdorur për ta promovuar dronin “Skifteri K1” dyshohet se i përket një fluturakeje të prodhuar në Kinë.
Videoja që e ka postuar në Facebook Ridvan Aliu, pronar i “Future Minds”, është copëz e videos së prodhuesit “Hinaray”, që promovon dronin H70P dhe kompania kineze e ka publikuar tri ditë para tij.
Ekspertët ushtarakë nuk e besojnë si të mundur që kompanitë në Kosovë t’i kenë kapacitetet njerëzore e profesionale për të ndërtuar dronë në këtë moment.
E dy kompanitë që u bashkuan për të prodhuar dronin e pretenduar, në ATK kanë veç një punëtor të lajmëruar.
Kajtazi rrëzon pretendimet: Një punëtor nuk mjafton as për projektim droni, lëre më për prodhim
Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi,në një prononcim për FrontOnline ka vënë në pikëpyetje serioze pretendimet se në Kosovë ka nisur prodhimi i dronëve luftarakë, duke theksuar se kapacitetet teknike dhe njerëzore të kompanive të përfshira nuk e bëjnë të mundur një gjë të tillë.
Sipas Kajtazit, një kompani me vetëm një punëtor të regjistruar nuk mund as të konstruktojë, e lëre më të prodhojë një dron ushtarak funksional, pasi një proces i tillë kërkon ekspertizë të gjerë dhe bashkëpunim të shumë fushave teknike.
“Një kompani me një punëtor realisht e ka të pamundur jo vetëm ta prodhojë, por edhe ta konstruktojë një dron, sepse kërkohet një mori ekspertësh të fushave të ndryshme”, ka deklaruar Kajtazi.
Kajtazi thotë se ndërtimi i një droni që arrin distanca prej mbi 1.000 kilometrash është jashtëzakonisht kompleks dhe kërkon teknologji të avancuar të navigimit.
“Është shumë komplekse të ndërtohet një dron që fluturon në distancë 1.000 kilometra. Navigimi në këto distanca nuk mund të realizohet përmes radiovalëve, por kërkon patjetër navigim satelitor, të cilin faktikisht nuk e posedojmë”, ka shtuar ai për Front Online.
Sipas Kajtazit, ekzistojnë faktorë të shumtë teknikë që e bëjnë të pamundur realizimin e një droni të tillë nga kompani me kapacitete minimale njerëzore dhe infrastrukturore.
Ai ka kritikuar edhe deklaratat publike të bëra nga kryeministri, duke vlerësuar se një qasje e tillë krijon perceptim të gabuar në opinionin publik dhe se nëse do të ishte kaq e lehtë sic proklamon ai të gjitha shtetet do ti prodhonin.
“Kryeministri është figurë publike dhe shtetërore dhe nuk është e hijshme të manipulohet opinioni. Sikur të ishte aq e lehtë sa është proklamuar, të gjithë do t’i ndërtonin vetë dronët dhe nuk do t’i blinin nga shtete të tjera, ose është bërë për propagandë, ose ka mungesë njohurish për këtë fushë”, ka përfunduar Kajtazi.
Elezi: Projekti i dronëve i promovuar nga Kurti është vënë në dyshim, është rrënuar si çështje
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi,në një pronmoncim për FrontOnline ka deklaruar se informacioni se Kosova do të prodhonte dronë luftarakë kamikaz ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të kohëve të fundit, por që tashmë ka pësuar goditje serioze pas dyshimeve të ngritura mbi vërtetësinë e tij.
Sipas Elezit, një kompani e vizituar nga kryeministri i Kosovës kishte deklaruar se ishte gati për prodhimin e kësaj fluturake dhe se testimet do të realizoheshin së shpejti, gjë që u promovua edhe nga kryeministri gjatë fushatës zgjedhore, duke krijuar bindje në opinion se projekti ishte real dhe i avancuar.
‘’ Pame se një kompani qe e vizitoi kryeministri i Kosovës tha se e kishte gati prodhimin e kësaj fluturake dhe se do te kishte edhe testime se shpejti, kryeministri promovoi këtë lloj ideje ne fushate dhe beri qe te besohet kjo pune , dhe tani disi është rrënuar çështja për te cilën foli Kurti’’, tha Elezi për FrontOnline.
Elezi se situata ndryshoi pas publikimit të një videoje nga kompania në fjalë, për të cilën më pas mediat raportuan se i përkiste një kompanie kineze, duke hedhur poshtë pretendimet se fluturakja ishte ndërtuar dhe testuar në Kosovë.
“Së fundi, janë publikuar informacione që hedhin dyshime serioze se videoja e testimit i përket një kompanie kineze. Kjo ka goditur rëndë entuziazmin dhe besimin e qytetarëve që i kishin besuar deklaratave të kryeministrit”, ka deklaruar ai.
Elezi shton se edhe të dhënat e publikuara në media për numrin e të punësuarve në këtë kompani përforcojnë dyshimet se projekti nuk ka kapacitet real për t’u realizuar.
“Ka mjaft të dhëna që tregojnë se projekti, në formën siç është prezantuar, nuk është i realizueshëm”, ka thënë Elezi për FrontOnline.
Sipas Elezit , tani mbetet të shihet reagimi i institucioneve shtetwrore lidhur me këtë , ndërsa shpreh shpresën që kjo ide e dhënë të ketë realizim
Drizan Shala: Kompania ka manipuluar me informacionin për dronin, pamjet janë të prodhimit kinez
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka hedhur poshtë pretendimet se një kompani kosovare ka dëshmuar përmes praktikës se ka prodhuar dron në Kosovë dhe se ai është përdorur jashtë vendit, duke theksuar se faktet tregojnë të kundërtën.
Sipas Shalës, informacioni i publikuar si dëshmi për prodhim vendor tashmë është rrëzuar, pasi është argumentuar se droni në fjalë ka qenë i prodhuar nga industria ushtarake kineze dhe është përdorur pikërisht në atë kontekst.
“Sa i përket çështjes së plasimit të informacionit se gjoja një kompani ka dëshmuar përmes një praktike se droni është prodhuar në Kosovë dhe është përdorur jashtë Kosovës, tashmë del e argumentuar se ai ka qenë i prodhuar nga industria ushtarake kineze. Kompania në fjalë ka manipuluar me këtë informacion”,ka deklaruar Shala.
Ai thotë se, në fazën aktuale, Kosova nuk ka kapacitete për prodhimin e dronëve ushtarakë, ndonëse ekziston potencial njerëzor për dronë komercialë.
“Sa i përket kapaciteteve për prodhim të dronëve në Kosovë, mund të flasim për kapacitete humane për dronë komercialë. Për dronë ushtarakë kërkohet punë shumë më e madhe dhe mbështetje e fuqishme institucionale”, ka shtuar ai.
Shala vlerëson se, në faza të mëvonshme dhe me mbështetje serioze institucionale, një zhvillim i tillë mund të jetë i mundur, por jo në rrethanat aktuale dhe jo në mënyrën se si është prezantuar publikut.









