Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” Sh.A. ka hapur zyrtarisht konkurs për punësim, duke ofruar mundësi të reja angazhimi profesional për profile të ndryshme teknike, operative dhe menaxheriale në katër (4) komunat veriore. Ky proces punësimi vjen në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të kompanisë për fuqizimin e kapaciteteve njerëzore dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.
Sipas njoftimit zyrtar, qëllimi kryesor i këtij konkursi është ndërtimi i një stafi profesional dhe të qëndrueshëm, i cili do të kontribuojë drejtpërdrejt në funksionimin efikas të sistemeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, si dhe në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik.
Pozitat e shpallura përfshijnë një gamë të gjerë profilesh, duke filluar nga pozita menaxheriale dhe inxhinierike, e deri te ato teknike dhe operative, të domosdoshme për funksionimin e përditshëm të kompanisë. Detajet e plota për secilën pozitë, kriteret e aplikimit dhe dokumentacionin e nevojshëm janë publikuar në ueb-faqen zyrtare të KRU “Mitrovica” Sh.A., në linqet përkatëse për secilin konkurs.
Të interesuarit mund të informohen për pozitat si: Menaxher Operativ, Inxhinier përgjegjës Hidroteknik, Teknik i Makinerisë, Ujëinstalues, Laborant, Operator/Dispeçer, Dozator, Shef i mirëmbajtjes së rrjetit të ujit dhe kanalizimit, Bagerist, Vozitës/Vozac, Punëtor fizik, Kanalizator, Pastrues dhe Rojtar. Çdo pozitë ka kërkesa specifike, të cilat duhet të plotësohen nga kandidatët aplikues.
KRU “Mitrovica” Sh.A. fton të gjithë qytetarët që i plotësojnë kriteret e përcaktuara të aplikojnë brenda afateve të caktuara në konkurs, duke e konsideruar këtë si një mundësi reale për punësim të qëndrueshëm dhe zhvillim profesional në një kompani publike me rol jetik për komunitetin.
Për aplikim futuni në faqen e KRU “Mitrovica”./Mitropol/






