“Jemi munduar me qenë të afërt” – Erion Kajtazi flet për duelin me lojtarët ukrainas

Publikuar më:

Kosova dhe populli i saj i njeh mjaft mirë vuajtjet nga pushtuesi para më shumë se dy dekadash.

Dhunën, terrorin dhe krimet që bëri shteti serb në Kosovë, të njëjtën po e përjeton edhe Ukraina, veçse ata nga aleatët e serbëve, Rusia.

Fati deshi që të dy shtetet që përveç ngjyrave të flamurit, të njëjtë kanë edhe dhimbjet nga agresioni e armikut, të përballen në ndeshjen e parë të raundit elitë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian U17 të këtij viti, që do të mbahet në Izrael në maj-qershor.

Ndonëse të ri në moshë, ukrainasit tashmë po e mësojnë se armik i tyre është shteti rus dhe pushteti i Vladimir Putinit që ka më shumë se një muaj që ka nisur pushtimin në Ukrainë.

“Dardanët” janë mundur të u qëndrojnë afër futbollistëve kundërshtarë në ndeshjen e zhvilluar në Itali.

Futbollisti i talentuar i Kosovës, Erion Kajtazi në një bisedë me Demokracia.com tregoi se ai me bashkëlojtarë janë mundur të tregohen të afërt me kundërshtarët që vijnë nga vendi i prekur nga lufta.

Kajtazi theksoi se se gjatë bisedave jo të shumta që kishin me ukrainasit, nuk është përmendur fare tema e luftës.

“Nuk kemi pasur kurfar bisede në lidhje me luftën që po ndodh në shtetin e tyre. Jemi munduar të jemi më të afërt me ta. Kemi shkëmbyer ndonjë bisedë kur kemi pauzuar në lojë. Ata nuk kanë komunikuar shumë”, tha për Demokracia.com futbollisti mitrovicas, Erion Kajtazi.

Në shenjë përkrahje të popullit ukrainas, kapiteni i “Dardanëve” U17, Igball Jashari para fillimit të ndeshjes ia ndau kapitenit të ekipit ukrainas fanellën e Kosovës me nënshkrimet e të gjithë futbollistëve dhe stafit.

JU REKOMANDOJMË