Pasi u raportua nga mediat, Albin Kurti lajmërohet nga Greqia

Publikuar më:

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në edicionin e 28-të të simpoziumit SYMI, që po mbahet në Greqi, me temën “Zemërimi i Akilit dhe paralajmërimi i Kasandrës – Fuqizimi i demokracisë dhe zbutja e pushtetit”.

Sipas Kurtit, në këtë simpozium diplomatë, akademikë, aktivistë, zyrtarë shtetesh dhe drejtues të organizatave ndërkombëtare po zhvillojnë diskutime mbi sfidat aktuale gjeopolitike, përfshirë sigurinë, demokracinë, të drejtat e njeriut, luftërat, krizat globale dhe ndikimin e inteligjencës artificiale.

Kurti ishte pjesë e panelit “Demokracitë në vijën e parë – Ballkani, Ukraina dhe më gjerë: Mësimet që demokracitë e vjetra të vetëkënaqura duhet të nxjerrin nga shoqëritë që luftojnë çdo ditë për hapësirën demokratike evropiane”, ku foli për sfidat e demokracive në Ballkan dhe Ukrainë.

Ai theksoi se zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimi Evropian është dëshmi se periferia nuk është aty për t’u shfrytëzuar.

“Evropa fillon në shtëpi për secilin shtet dhe përfundon në vijat e frontit të luftës në Ukrainë, dhe se pikërisht zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Evropian dëshmon që periferia nuk është aty për t’u grabitur”, u shpreh Kurti.

Në fjalën e tij, ai tha gjithashtu se bota nuk po përballet me një përplasje të jashtme të qytetërimeve, por me “përplasje të brendshme të ndërgjegjes me reaksionin”.

Po ashtu, Kurti vlerësoi se autokratët duhet të shihen si “njerëz të lindur në shekullin e gabuar”, duke shtuar se “tendencat paramoderne për monarki merkantiliste nuk mund të triumfojnë mbi republikën demokratike”.

JU REKOMANDOJMË