Ish-kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj, ka reaguar ashpër pas deklaratave të Rron Gjinovcit ndaj invalidit të UÇK-së, Tafë Çekaj.

Përmes një reagimi publik, Selmanaj ka mbrojtur figurën e Çekajt, duke theksuar se ai konsiderohej “terrorist” vetëm nga regjimi serb, ashtu si edhe anëtarë të tjerë të familjes së tij.
“E vërteta e madhe, Tafë Çekaj ishte ‘terrorist’ sipas Serbisë, por jo vetëm ai nga familja e ngushtë e tij. Unë kam pasur fatin t’i njoh edhe dy ‘terroristë’, babanë e Tafës, Ganiun, dhe vëllain e tij, Selimin, në masakrën e burgut të Dubravës”, ka shkruar Selmanaj.
Ai ka theksuar se koha dëshmoi se qëndresa dhe kauza e Tafë Çekajt ishin të drejta. “Rebelimi dhe kauza e tij, prej fermeri, dolën të jenë të drejta”, përfundon reagimi i Selmanajt. Reagimi vjen pasi Gjinovci përdori fjalor ofendues ndaj Tafë Çekajt, duke nxitur reagime të shumta në opinionin publik.







