Gjykimi për vrasjen te “Proper Pizza” në Mitrovicë: 700 euro gjobë dhe 8 muaj burg me kusht ndaj dy të akuzuarve, refuzohet pranimi i fajësisë së dy tjerëve

Publikuar më:

Të akuzuarit Valon Ibishi dhe Valmir Selimi janë dënuar me nga 700 euro gjobë dhe me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 8 muaj (secili veç e vec), pasi pranuan fajësinë për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, në gjykimin për vrasjen e M.K në shkurt të këtij viti në Mitrovicë.  

Ndërsa, i akuzuari për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, Leotrim Selimi dhe i akuzuari tjetër, Bejtë Hasani, për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, e pranuan fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje, andaj gjykata refuzoi këtë pranim fajësie dhe ndaj tyre është veçuar procedura.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarve u shpall të mërkurën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë nga gjykatësi Radosllav Markoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit Valon Ibishi dhe Valmir Selimi, gjobën prej 700 euro (secili veç e veç) janë të obliguar ta paguajnë në afat prej 15 dite nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Ndërsa, në dënimin me burgim me kusht, në kohëzgjatje prej 8 muaj, do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe ky dënim nuk do të ekzekutohet, nëse të njëjtit nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda dy vitesh.

Po ashtu, do të ndërpritet masa e paraburgimit ndaj të akuzuarit Valmir Selimi më 17 nëntor 2021, me një vendim të posaçëm.

Të akuzuarit Valon Ibishi dhe Valon Selimi obligohen që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë secili nga 50 euro dhe nga 50 euro të tjera në emër të kompensimit të  viktimave të krimit.

Në të njëjtën ditë, për këtë rast u mbajt shqyrtimi fillestar, ku ishin të pranishëm prokurori Njazi Rexha, i akuzuari Leotrim Selimi me avokatin e tij, Naser Sopjani, i akuzuari Bejtë Hasani me avokatin e tij Bashkim Mehana, i akuzuari Valon Ibishi me avokatin e tij Sabit Rama dhe i akuzuari Valmir Selimi me mbrojtësit e tij Ilaz Rudaku dhe Bekim Kelani.

Te akuzuarit Leotrim Selimi, Bejtë Hasani dhe Valmir Selimi janë sjellë në seancë nga njësiti për  paraburgim, pasi që ndaj të njëjtëve më parë është caktuar masa e paraburgimit.

Gjykatësi Radosllav Markoviq i njoftoi të akuzuarit lidhur me të drejtat e tyre në këtë procedurë penale, e po ashtu i njoftoi edhe lidhur me pasojat dhe favoret e pranimit te fajësisë.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Rexha, të akuzuarit u deklaruan rreth fajësisë.

I akuzuari Leotrim Selimi deklaroi se e pranon fajësinë vetëm për pikën dy të aktakuzës (për armëmbajtje pa leje), por nuk e pranon fajësinë për pikën një të aktakuzës me të cilën akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Veç për pikën e dytë e pranoj, për të parën jo”, u deklarua i akuzuari Leotrim Selimi.

Njësoj u deklarua edhe i akuzuari i dytë, Bejtë Hasani i cili tha se e pranon fajësinë vetëm për pikën dy të aktakuzës e jo edhe për pikën e parë.

“Vetëm për armëmbajtje pa leje e pranoj, për pikën e parë jo”, deklaroi i pandehuri Bejtë Hasani.

Ndërsa, dy të akuzuarit e fundit e pranuan në tërësi fajësinë për veprat me të cilat po ngarkohen sipas aktakuzës.

“E pranoj fajësinë për dy veprat me të cilat po akuzohem, këtë e bëj në mënyrë vullnetare, pa presion dhe ndjej keqardhje për atë që ka ndodhur dhe premtoj se nuk do të përsëris më ndonjë vepër penale”, deklaroi i akuzuari Valon Ibishi.

Njësoj deklaroi edhe i akuzuari Valmir Selimi, i cili pranoi fajësinë dhe shprehi keqardhje.

“Po, e pranoj fajësinë, pendohem shumë dhe shprehi keqardhje të madhe dhe premtoj që kurrë më nuk do të kryej vepra penale”, deklaroi i pandehuri Valmir.

Lidhur me pranimin e fajësisë nga të akuzuarit Valon Ibishi dhe Valmir Selimi u deklarua prokurori i rastit Njazi Rexha i cili i kërkoi gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësisë nga këta dy të pandehur.

“Duke pasur parasysh se Valon Ibishi dhe Valmir Selimi pranojnë fajësinë në mënyrë vullnetare, pa presion e në konsultim me mbrojtësit e tyre, e në mbështetje edhe me shkresat e lëndës, i propozoj gjykatës që të pranojë pranimin e fajësisë”, deklaroi prokurori Rexha.

Po ashtu, edhe mbrojtësit e të pandehurve Valon Ibishi dhe Valmir Selimi, avokati Sabit Rama dhe avokati Ilaz Rudaku kërkuan nga gjykata që të bëjë aprovimin e pranimit të fajësisë nga të mbrojturit e tyre.

Pas kësaj, gjykatësi Markoviqi pas pranimit të fajësisë nga dy të akuzuarit Valon Ibishi dhe Valmir Selimi pyeti palët se a janë të pajtimit që të veçohet procedura e tyre ndaj dy të akuzuarve të tjerë dhe për këtë palët nuk kishin vërejtje.

JU REKOMANDOJMË