Sulmi në Ibër-Lepenc synonte të gjymtonte rëndë funksionalitetin e vendit.
Tre nga të dyshuarit e këtij sulmi tashmë kanë nisur daljen para drejtësisë.
Ata, dorëz-në-dorë të shtetit serb, ia mësyen kanalit të Ibër-Lepenc me njëzet kilogramë eksplozivë të cilën edhe e shpërthyen.
Prova të forta në dorë ka numëruar Prokuroria Speciale e Kosovës.
Të zënë në mesin e një mali provash, prej dheut nën këmbë që Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ua gjeti me atë të vendit të ngjarjes, te fitili i përdorur, te armët e uniformat ushtarake, te stërvitjet në fushat ushtarake serbe që njihet si “Livadhi i Pasulit,” dy vëllezërit serbë Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimiq, veten e deklaruan “të pafajshëm.”
Prokuroria Speciale konstaton se sulmi terrorist ndaj kanalit Ibër-Lepenc, më 29 nëntor 2024, ishte operacion i planifikuar dhe i koordinuar, e aspak veprim spontan.
Sipas Prokurorisë, sulmi ishte pjesë e serisë së aksioneve kundër rendit juridik dhe sigurisë kombëtare të Kosovës, pas sulmit ndaj KQZ-së në Mitrovicë (2022), sulmit ndaj KFOR-it, barrikadave dhe mësymjes (para)ushtarake të Banjskës (2023).
Prokuroria mban se të akuzuarit vendosën 20 kilogramë eksploziv TNT për të rrënuar infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë dhe sistemin energjetik të Kosovës.
Aktakuza mbështetet në prova të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Forenzikës, analiza ADN-je, ekspertiza të FBI-së, Policisë Italiane, KFOR-it amerikan dhe analiza të pajisjeve elektronike.
Gjatë kontrolleve, sipas Prokurorisë, u sekuestruan armë, municion, granata, uniforma dhe pajisje ushtarake, duke ngritur edhe akuza për armëmbajtje pa leje.
Për Jovan Viqentijeviqin, Prokuroria pretendon se ka vepruar në interes të shërbimit inteligjent ushtarak serb, duke mbledhur dhe transmetuar informacione konfidenciale, për çka akuzohet edhe për spiunazh.
Prokuroria gjithashtu shton se një pjesë e përgatitjeve dhe trajnimeve janë zhvilluar në Serbi, në poligonin ushtarak “Livadhet e Pasulit”, dhe se Qeveria e Serbisë ka pasur rol kyç në organizimin e tyre.
Përfaqësuesit e Ibër-Lepencit mbështetën aktakuzën, duke theksuar dëmet materiale dhe rrezikun e një krize energjetike e sanitare.
Prokuroria e mbështet një pjesë qendrore të aktakuzës në prova shkencore, veçanërisht në ekspertizat e FBI-së dhe analizat e ADN-së, të cilat, sipas saj, lidhin drejtpërdrejt të akuzuarit me vendin e sulmit.
Sipas raportit të FBI-së, analizat gjeologjike tregojnë se dheu i gjetur në çizmet e Jovan dhe Dragisha Viçentijeviqit përputhet me mostrat e marra në vendin e shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit.
Aktakuza thekson se nuk është konstatuar dallim në strukturë, ngjyrë dhe përbërje, duke e paraqitur këtë si provë kyçe që i vendos të akuzuarit në vendngjarje.
Një tjetër provë kyçe është ekspertiza e ADN-së, e realizuar nga Agjencia e Forenzikës së Kosovës dhe e verifikuar nga Policia Shkencore e Italisë. Sipas Prokurorisë, ADN-ja e Jovan Viçentijeviqit u identifikua në një fitil ndezës 9.2 metra të gjatë të gjetur pas sulmit.
Nga 24 lokuse të analizuara, 20 përputheshin me profilin gjenetik të tij, çka, sipas ekspertëve, ofron “mbështetje jashtëzakonisht të fortë statistikore” për kontaktin e tij të drejtpërdrejtë me fitilin ndezës.
Prokuroria pretendon se këto prova shkencore mbështesin akuzën se sulmi ishte një operacion i planifikuar ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, e jo një akt i izoluar.







