Gjykata e “shpëton” Mentor Beqirin nga sulmi ndaj kryeinspektorit Nexhat Fazliu – dënohen dy personat që e rrahën

Publikuar më:

Gjykata për Krime të Rënda në Prishtinë ka dënuar dy persona për sulmin ndaj kryeinspektorit Nexhat Fazliu, i cili kishte ndodhur në prill të vitit 2020, ndërsa ka liruar nga akuza Mentor Beqirin, i cili dyshohej si shtytës i sulmit.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Fazliu përmes një reagimi publik, ku ka shprehur pakënaqësi me vendimin e gjykatës, duke e cilësuar atë si “drejtësi të ndarë në gjysmë”.

Sipas tij, dy të dënuarit janë shpallur fajtorë për sulm ndaj personit zyrtar dhe asgjësim të pasurisë, megjithatë gjykata nuk ka arritur të vërtetojë përfshirjen e të akuzuarit si organizator apo shtytës i sulmit.

Fazliu ka ngritur dyshime lidhur me arsyetimin e gjykatës, duke theksuar se të dënuarit, sipas deklarimeve të tyre, nuk e kanë njohur personalisht dhe nuk kanë pasur asnjë konflikt me të.

Ai ka theksuar se e vetmja lidhje mes tyre ka qenë fakti se, në kuadër të detyrës zyrtare, kishte shqiptuar gjobë ndaj kompanisë ku ata punonin.

“Kryesit e sulmit dënohen, ndërsa lirohet ai që dyshohej si shtytës. Është vështirë të kuptohet se si nuk është gjetur motivi i sulmit, përveç ushtrimit të detyrës sime zyrtare”, ka deklaruar Fazliu.

Ai ka bërë të ditur se pret që rasti të shqyrtohet edhe në Gjykatën e Apelit, ndonëse është shprehur skeptik se drejtësia do të vihet plotësisht në vend.

Reagimi i plotë i Fazliut:

Të nderuar familjarë, miqë dhe dashamirë,

Sot dua të ndaj me ju një shembull të drejtësisë së ndarë në gjysmë.

Gjykata për Krime të Rënda në Prishtinë ka dënuar dy nga kryerësit e sulmit të organizuar ndaj meje në prill të vitit 2020.

Por, për çudi dhe absurditet, është liruar shtytësi i akuzuar, me arsyetimin se nuk paska prova që i njëjti i ka shtyrë të dënuarit për ta kryer sulmin.

Shtrohet pyetja logjike: si mund të dënohen kryerësit e sulmit, ndërsa të lirohet ai që dyshohej si organizator apo shtytës i tij, kur vetë të dënuarit kanë deklaruar se as nuk më kanë njohur personalisht dhe as nuk kanë pasur ndonjë konflikt apo problem me mua?

E vetmja gjë për të cilën kanë qenë në dijeni ka qenë fakti se unë, në ushtrimin e detyrës zyrtare, kisha gjobitur kompaninë ku ata punonin.

Ata janë shpallur fajtorë për sulm ndaj personit zyrtar, dhe asgjesim të pasurisë, por për habi, gjykata nuk paska arritur të gjejë motivin e këtij sulmi, përveç faktit se unë kam zbatuar ligjin dhe kam kryer detyrën time zyrtare ndaj kompanisë së shtytësit të akuzuar.

Hajr ishalla në këtë shtet, por vështirë të besohet se drejtësia do të vihet plotësisht në vend, edhe pas ankesës në Gjykatën e Apelit.

Por megjithatë, më mirëpak se sa hiq.

JU REKOMANDOJMË