Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetime lidhur me rastin e ndriçimit me laser të aeroplanëve që po fluturonin nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, incident i raportuar të hënën në mbrëmje.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur në fshatin Janjevë të Lipjanit dhe është iniciuar si vepër penale “Rrezikim i sigurisë së aviacionit civil”.
Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se më 16 korrik 2026, në konsultim me prokurorin, është hapur zyrtarisht rasti, pasi policia kishte pranuar informacione se incidenti kishte ndodhur më 13 korrik 2026.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim, ndërsa sipas Kodit Penal, vepra penale e rrezikimit të sigurisë së aviacionit civil dënohet me burgim deri në pesë vjet.







