Gazetari nga Mitrovica i dërgon letër publike Albin Kurtit: Ndale “Luginën e Diellit”

Publikuar më:

Gazetari nga Mitrovica, Urall Boshnjaku, i ka dërguar një letër publike kryeministrit Albin Kurtit, ku i kërkon të ndalet projekti serb që quhet “Lugina e Diellit”.

Ai ka thënë se shkarkimet në jug do të merrnin kuptim vetëm nëse ndalet ky projekt në veri.

Publikimi i plotë:

I nderuari Kryeministër z.Kurti,
E nderuara Qeveri e Republikës së Kosovës,

Shkarkimet në jug do fitonin kuptim nëse ndër punët e para që do bëni në 100 ditëshin e qeverisjes suaj do ndalonit projektin më të madh të Serbisë në Kosovë që nga viti 1990, projekt ky i besatuar nga Marko Gjuriq dhe peshkopi serb Teodosije, të prirur nga Vuçiqi.

Madje Gjuriqi pati deklaruar se ky është projekti i parë pas 16 vjetësh të cilin me forca të bashkuar e bëjnë Qeveria e Serbisë, Zyra për Kosovën, Arqipeshkvia Rashkë – Prizren dhe pushtetet lokale serbe në Kosovës bashkë me përfaqësuesit serbë në institucionet e përkohshme të administratës në Prishtinë, e për të cilin her u tha se mbështetet nga qeveria e Kosovës, e her u raportua se nuk ka lejen e institucioneve në Kosovë.

Kryetari i Zveçanit Ivan Todosijeviq poashtu pati deklaruar se “Lugina e Diellit” është projekti më i madh Serbisë në Kosovë që nga viti 1990 dhe se me të Serbia dëshmon se Kosova është pjesë e patjetërsueshme e saj.

Nëse shqiptarët e veriut nuk po lejohen të ndërtojnë në tokën e tyre atje, ne nuk duam që serbët ta bëjnë një gjë të tillë, ngase kjo tregon që Kosova nuk ka sovranitet, ashtu si është proklamuar tash e 12 vite nga çdo qeveri.

Ua kujtoj z. Kryeministër që vartësi juaj në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri pati deklaruar kështu:

“Ne do të bëjmë çmos, edhe niveli qendror duhet të jetë i palëkundur në qëndrimin që asnjë serb që nuk ka jetuar në këto hapësira të mos vendoset në këto shtëpi që po ndërtohen për serbët. Këtë nuk do ta lejojmë, sepse Serbia po synon rikolonizimin e pjesës veriore të Kosovës, në veçanti të Mitrovicës. Se Serbia e ka këtë qëllim më së miri e tregon vendbanimi ‘Lugina e Diellit’ në Zveçan, në të cilin do të vendosen 1500 serbë nga Serbia”.

Mos lejoni pabarazi z. Kryeministër, tash që edhe pushteti qendror u takon juve, le të funksionalizohet kjo lagje me serbët lokal e jo nga ata që do vijnë nga Beogradi, kur të kemi një lagje të tillë të shqiptarëve të kthyer në pronat e tyre në veri!

Rreziku është afër. O tash o kurrë Kryeministër!

JU REKOMANDOJMË