Policia e Kosovës ka arrestuar tre serbë që dyshohen për krime lufte në Kosovë.
‘Jepi zë” merr vesh se njëri nga të arrestuarit është Zoran Kostiq i cili gjatë luftës kishte qenë komandant i formacionit paramilitar serb.

Arrestimi i ti u bë në fshatin Prelluzhë të Komunës së Vushtrrisë, më saktësisht në shtëpinë e tij afër Stanovcit të Ulët, ndërsa edhe vetë ministri Sveçla përmes një postimi bëri të ditur se të arrestuarit janë persona që dyshohen për krime lufte në Vushtrri dhe Burgun e Smrekonicës.
“Nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës pas një angazhimi të gjatë e me dyshime të bazuara, janë arrestuar 3 qytetarë serbë për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Të njëjtit dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë në tortura, plagosje, vrasje, dëbim, dhe masakra ndaj shqiptarëve në Vushtrri, fshatrat e saj përreth dhe në Burgun e Smrekovnicës” ka shkruar ministri i punëve të brendshme.
Serbi Kostiq ishte denoncuar para rreth tre muajsh edhe nga disa familje nëpër mediat nacionale./ Jepi zë







