Dhunoi të miturën në shtëpinë e tij, pas lirimit urdhërohet sërish arrestimi i të riut

Publikuar më:

Një i ri nga Skënderaj është arrestuar të hënën, pasi në shtëpinë e tij ka kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur.

Pas intervistimit, ai është liruar në procedurë të rregullt. Të martën është kryer ekzaminimi gjinekologjik i viktimës, pas të cilit, Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e të dyshuarit, Gazeta Express sjell detaje nga ky rast

Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka urdhëruar të arrestohet sërish i riu nga Skënderaj i cili dyshohet për dhunimin e një vajze të mitur.

Ai u arrestua të hënën, por pas intervistimit u lirua në procedurë të rregullt, me urdhër të prokurorit.

Nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës kanë deklaruar për Gazetën Express se rasti fillimisht është lajmëruar si “Bashkësia jashtëmartesore me personin nën moshën 16-vjeçare.

“Lidhur me pyetjen tuaj për rastin në fjalë, ju njoftojmë që në komunikimin që prokurorja kujdestare ka pasur me policinë, fillimisht rasti është lajmëruar në orët e vona të natës si “Bashkësia jashtëmartesore me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet”, ka deklaruar zëdhënësi i Prokurorisë, Valon Preteni.

Preteni tha se Prokuroria ka urdhëruar ekzaminimin gjinekologjik të viktimës. Ndërkaq pas rezultatit nga ky ekzaminim, prokurorja e rastit ka urdhëruar që vepra penale të rikualifikohet nga “Bashkësia jashtëmartesore me personin nën moshën 16-vjeçare” në “Dhunim”.

Ai deklaroi se është urdhëruar policia ta arrestojë të dyshuarin.

“Prokurorja ka urdhëruar që të bëhet ekzaminimi gjinekologjik i viktimës – të dëmtuarës në rastin konkret. Ekzaminimi i të dëmtuarës është kryer sot nga ana e ekspertëve të Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe me rezultatet nga ky ekzaminim është njoftuar prokurorja, e cili ka urdhëruar që vepra penale në këtë rast të kualifikohet si “Dhunimi”, dhe për këtë është urdhëruar policia të arrestojnë të pandehurin, e po ashtu janë urdhëruar edhe veprimet tjera hetimore në rastin konkret”, ka deklaruar Preteni.

Për këtë rast ka njoftuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.

Aty është bërë e ditur se i dyshuari kishte kryer marrëdhënie seksuale në shtëpinë e tij me të miturën.

“DHUNIM-Skenderaj 01.11.2021 – 13:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në shtëpinë e tij kishte kryer marrëdhënie seksuale me viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, ka njoftuar policia.

JU REKOMANDOJMË