Asamblisti i PDK-së në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Emir Azemi, ka folur lidhur me largimet e fundit të punëtorëve shqiptarë nga institucionet komunale në veri të Kosovës, duke theksuar se raste të tilla nuk janë të pranueshme dhe duhet të trajtohen në përputhje me ligjin.
Azemi ka bërë të ditur se ka qenë në komunikim me një nga punëtorët shqiptarë të larguar nga puna, të cilin e ka inkurajuar të ndjekë procedurat ligjore.
“Si asamblist shqiptar kam pasur komunikimin me njërin nga të larguarit shqiptar nga puna dhe e kam rekomanduar dhe inkurajuar që t’i ndjekë rrugët ligjore. Ne kemi organe të pavarura dhe kemi pasur largime të punëtorëve edhe në të kaluarën, por Veriu i Kosovës është pak më i ndryshëm duke marrë parasysh specifikat”, ka deklaruar Azemi.
Sipas tij, respektimi i ligjit duhet të jetë parim bazë për të gjithë, pa dallim.
“Unë mendoj se çdo kush duhet ta respektojë ligjin, kudo që është. Nuk është e pranueshme për asnjë person nga asnjë anë, pa dashur me anu, sepse nuk jam jurist dhe nuk i njoh në detaje vendimet”, është shprehur ai për FrontOnline.
Azemi ka ngritur gjithashtu shqetësime për një nga pikat e vendimeve për largim, ku sipas tij përmendet përbërja etnike e punëtorëve, duke e konsideruar këtë si problematike.
“Në vendim, njëra nga pikat specifikon se numri i tyre duhet të jetë mbi baza etnike 3, 2, 2. Arsyetimet mund të përdoren sipas nevojës së tyre, por raste të tilla nuk duhet të ndodhin”, ka theksuar Azemi.
Në fund, asamblisti i PDK-së ka bërë të ditur se personat e larguar nga puna do t’i ndjekin rrugët ligjore për të kërkuar drejtësi.
“Personat e larguar do t’i ndjekin rrugët ligjore”, ka thënë ai








