Alaram shtetëror, Sefaj: Kuadrot strategjike të FSK-së, Policisë dhe IT po largohen nga institucionet publike

Publikuar më:

Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Ali Sefaj, ka ngritur alarmin për largimin masiv të kuadrove më të përgatitura nga institucionet publike të Kosovës, duke theksuar se fenomeni po prek sektorë jetikë si Policia, Forca e Sigurisë së Kosovës, teknologjia informative, shëndetësia dhe sistemi i drejtësisë.

Sipas Sefajt, ky nuk është një zhvillim i zakonshëm statistikor, por një alarm serioz shtetëror që rrezikon funksionimin dhe të ardhmen e institucioneve publike.

Ai ka bërë thirrje që qeveria e ardhshme të veprojë urgjentisht duke themeluar një Fond për Kuadrot Strategjike, i cili do të lidhë këta profesionistë me mandate shërbimi prej 5 deri në 10 vjet, me qëllim të mbrojtjes së investimeve publike në arsimim, specializim dhe trajnime profesionale.

Sefaj thekson se, përveç rritjes së pagave, këta profesionistë duhet të mbështeten edhe me mekanizma të tjerë motivues, si siguria në karrierë, avancimi profesional, kushte dinjitoze pune dhe rol real vendimmarrës në sektorët ku shërbejnë. Ai nënvizon se kuadrot profesionale duhet të jenë bartës të zhvillimit dhe rritjes së shtetit, e jo viktima të cikleve politike dhe militantizmit partiak.

Në përfundim, Sefaj paralajmëron se mungesa e strategjisë dhe mosrespektimi i dijes dhe profesionalizmit rrezikon boshatisjen e shtetit nga brenda, duke e shndërruar atë në një mekanizëm jofunksional dhe të paaftë për t’u shërbyer qytetarëve

JU REKOMANDOJMË