Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Enis Osmani, ka reaguar ndaj kritikave të opozitës për gjendjen e Liqenit Akumulues, duke ia atribuar përgjegjësinë qeverisjes së kaluar të PDK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se eksponentët e PDK-së po reagojnë për gjendjen në Liqen, por sipas tij, ata duhet të japin llogari për atë që është bërë gjatë katër viteve të fundit dhe për mjetet e ndara në buxhetin e vitit 2026.
“Gjendja në Liqen është pasqyra më e mirë e mënyrës se si PDK-ja, gjatë katër viteve të fundit, e ka lënë pas dore Mitrovicën në çdo aspekt”, ka shkruar Osmani.
Ai ka shtuar se qytetarët tashmë po shohin ndryshime pas gjashtë muajve të qeverisjes së re, duke përmendur, sipas tij, ide të reja, largimin e uzurpimeve dhe punë konkrete në terren.
Sa i përket Liqenit Akumulues, Osmani ka bërë të ditur se komuna planifikon ta trajtojë këtë çështje në vitin 2027.
“Liqenin do ta adresojmë për në vitin 2027, kur për herë të parë do ta hartojmë vetë buxhetin dhe do të ndajmë mjete konkrete për rregullimin e tij”, ka deklaruar ai.







