Dyshohet se u gjetën mbetje mortore të një personi të zhdukur gjatë luftës, zhvillohet operacion gërmimi në Vushtrri

Publikuar më:

Një operacion i ndjeshëm hetimor është zhvilluar dje në Vushtrri, ku autoritetet kanë hasur në mbetje eshtërore njerëzore që dyshohet se mund t’i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se gërmimet janë realizuar nga Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur gjatë Luftës, në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Operacioni është zhvilluar në varrezat e qytetit të Vushtrrisë, në bazë të një urdhërese të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.

Gjatë gërmimeve në një lokacion të evidentuar nga hetuesit, janë zbuluar mbetje eshtërore me interes forenzik, për të cilat ekzistojnë dyshime se mund t’i përkasin së paku një personi që figuron në Listën Kombëtare të Personave të Zhdukur me Forcë gjatë periudhës së luftës 1998-1999.

Pas përfundimit të procedurave në vendngjarje, mbetjet janë nxjerrë, dokumentuar dhe transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Sinjali mëson se tashmë do të kryhen ekzaminime mjeko-ligjore dhe analiza të ADN-së, të cilat pritet të përcaktojnë identitetin e personit dhe të hedhin dritë mbi një nga plagët më të dhimbshme të luftës në Kosovë.

Pas më shumë se dy dekadash, toka e Vushtrrisë mund të ketë nxjerrë një tjetër dëshmi të fatit të personave të zhdukur gjatë luftës. Përgjigjet tani priten nga ekspertiza e ADN-së.

JU REKOMANDOJMË