Trepça largon nga puna 18 punëtorë të Flotacionit

Publikuar më:

Menaxhmenti i Trepça Sh.A. ka marrë vendim për largimin e përkohshëm nga puna të 18 punëtorëve të Njësisë Biznesore “Minierat me Flotacion Trepça Stantërg”, duke filluar nga data 19 qershor 2026, shkruan “Jepi zë”.

Sipas vendimit të nënshkruar nga Kryeshefi Ekzekutiv i Trepça Sh.A., punëtorët do të qëndrojnë të pezulluar deri në marrjen e një vendimi nga Komisioni Disiplinor, i cili sipas dokumentit duhet të vendosë brenda gjashtë muajve nga data e nxjerrjes së vendimit.

Punëtorët e pezulluar janë: Mexhit Peci, Nistret Azemi, Ahmet Haziri, Afrim Sadiku, Muhamet Hysenaj, Bastri Hasani, Betim Basholli, Fatbardh Imeri, Fatmir Syla, Fidan Imeri, Flamur Shala, Ilmi Tahiri, Kreshnik Ibrahimi, Kujtim Mustafa, Agron Kurti, Isak Smakolli dhe Bujar Hyseni.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se ekziston “dyshim i bazuar” se punëtorët e larguar përkohësisht kanë kryer shkelje të rënda të detyrave të punës, në kundërshtim me Rregulloren për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të Punëtorëve të Trepça Sh.A.

Sipas dokumentit, punëtorët dyshohet se gjatë datave 18 dhe 19 qershor kanë tejkaluar autorizimet e dhëna, kanë refuzuar pa arsye të justifikuar kryerjen e detyrave të punës dhe zbatimin e urdhrave të lëshuara nga personat kompetentë. Po ashtu, ata dyshohet se kanë penguar punëtorët e tjerë në procesin e punës, duke shkaktuar dëme financiare për ndërmarrjen.

Menaxhmenti i Trepçës vlerëson se veprimet e pretenduara mund të ndikojnë edhe në mosrealizimin e loteve të planifikuara për eksport gjatë muajit qershor.

Gjatë periudhës së pezullimit, punëtorëve u takon kompensim në pagë në lartësi prej 50 për qind, ndërsa atyre u ndalohet hyrja në hapësirat e Trepça Sh.A., përveç rasteve kur ftohen zyrtarisht nga Komisioni Disiplinor.

JU REKOMANDOJMË