Ky është pronari i objektit të laboratorit të drogës që u shkatërrua në Veri
02/07/2022 02 Press
Një laborator për prodhimin e substancave narkotike është shkatërruar nga Policia e Kosovës të premten në Leshak të Leposaviqit.
Vlera e pajisjeve që u gjeten brenda laboratorit ishte rreth 250 mijë euro. Pronari i objektit ku u zbulua laboratori ende nuk është kapur, pasi i njëjti gjendet në arrati.
Pronari i këtij lokali, që ishte i gatshëm të fillojë përpunimin e substancave narkotike është Goran Jezdimirovic, 38-vjeçar, i cili tashmë është shpallur në kërkim.
Njoftimi i plotë nga Policia:
Policia në veri gjen një objekt (laborator) me pajisje, i gatshëm për kultivimin e kanabisit
Prishtinë, 1 korrik 2022
Policia e Kosovës, sot më 01.07.2022, pas hetimeve paraprake ka parashtruar kërkesë për urdhër-kontroll në organet e drejtësisë për kontrollin e një objekti pronë e të dyshuarit G.J., në Leshak të Leposavicit, pasi në objekt dyshohej se kultivohej bima e kanabisit.
Pas marrjes së këtij urdhri, sot më 01.07.2022, rreth orës 10:10, gjatë realizimit të kontrollit të objektit, në dy kate të tij, janë gjetur pajisje për kultivimin e kanabisit me vlerë qindra-mijëra euro.
Laboratori ishte i pajisur mirë dhe ishte në gjendje të gatshme për të filluar mbjellja e bimëve të kanabisit, pra aty mungonin vetëm bimët, pasi gjithçka tjetër ishte e gatshme.
Në konsultim me prokuroren ka filluar sekuestrimi i pajisjeve që janë gjetur në atë ndërtesë. I dyshuari gjendet në arrati, kurse policia do të vazhdojë me hetimin dhe kompletimin e rastit.