Zbulohen aktivitetet e mistershme biznesore të “Currit” në Mitrovicë dhe vende tjera

Publikuar më:

Ismet Osmani, biznesmeni i cilësuar si “i rrezikshëm” nga një raport i BND-së gjermane më 2005, ka zbuluar aktivitetet e tij në botën e biznesit në një dëshmi dhënë Prokurorisë së Shtetit.

Rënia nën prangat e Policisë së Kosovës në maj të vitit 2019, ka hedhur dritë mbi aktivitetet e mistershme biznesore të Ismet Osmani – “Currit”.

Biznesmeni i cilësuar si “i rrezikshëm” nga një raport i BND-së gjermane më 2005, ka zbuluar aktivitetet e tij në botën e biznesit në një dëshmi dhënë Prokurorisë së Shtetit.

Dëshmia është pjesë e aktakuzës së ngritur nga prokurori Armend Hamiti, dosjen e plotë të së cilës e ka siguruar mediumi online Paparaci.

Pronari i një rrjeti biznesesh në Kosovë dhe Republikën Çeke, në një deklaratë para prokurorit të rastit që i ngriti atij aktakuzë për fajde, mashtrim dhe detyrim, ka thënë se operon në biznes në të dyja shtetet.

“Në Mitrovicë një hotel me 50% të aksioneve. I marr qiratë që i kam nga bankat Raiffeisen, BKT dhe IPKO qe 12-13 vite kur i kemi privatizuar. Shtëpinë në lagjen Marigona e kam ndërtuar vet. Është në emër të bashkëshortes”, ka thënë ai.

Veprimtaria e tij afariste shtrihet në Brno, qytetin e dytë më të madh në Republikën Çeke dhe Mitrovicë, vendlindjen e tij. “Curri”, zbulon se posedon një zinxhir të “fast-food”-it në Çeki.

“Biznesin në Çeki e kam një zinxhir të fast-food, ‘Mjau-Mjau – Dafina Company’”, ka zbuluar Ismet Osmani, në një dëshmi dhënë Prokurorisë më 2019. “Pas luftës e kam pasur një betonierkë, por nuk e kam pasur në emër timin por në emër të Atdhe Deskut. Kam qenë aksionar me të 50-50”.

Në Kosovë, ai ka thënë se ka qenë i përfshirë në fushën e bixhozit dhe lojërave të fatit.

“Në bastoren ‘Toto-Sport’ kam qenë ortak me 20 për qind të aksioneve, bashkë me Ilir Bojkun, Sabri Brahimin dhe Sejdi Brahimin, derisa janë mbyllur ato”, ka thënë “Curri”, raporton Paparaci.

I akuzuari për fajde, ka pranuar të ketë investuar në Trepçën ’89, një klub i futbollit në Mitrovicë.

“Me Lirim Zekën e kemi së bashku hotel ‘Adriatikun’ dhe e kemi mbajt Klubin e Futbollit Trepça ’89”, ka rrëfyer “Curri” për herë të parë aktivitetet biznesore të tij.

Paparaci, sjelli sot aktakuzën e plotë të ngritur nga Prokuroria kundër Ismet Osmanit dhe katër të tjerëve, të dyshuar për fajde.

Biznesmeni i mistershëm nga Mitrovica, Ismet Osmani – “Curri” dhe njerëzit e tij dyshohet se përfituan jashtëligjshëm pasuri të paluajtshme dhe para kesh në këmbim të një borxhi me fajde, raporton Paparaci.

Viktimë e grupit të “Currit” ishte Faton Dalladaku, një biznesmen tashmë në prag të falimentimit nga Prishtina, që kishte marrë fajde në vlerë 350,000.00 euro nga anëtarit e pretenduar të grupit të “Currit”. Ishte detyruar t’i kthente mbi një milion euro.

Ngjarja ka ndodhur mes viteve 2012-2017.

Mbi këtë histori të dyshuar kriminale me kërcënime e mashtrime, Prokuroria e Shtetit ngriti aktakuzë kundër Ismet Osmanit dhe katër të tjerëve. Prokurori i rastit, Armend Hamiti, akuzon edhe Ilir Bojkun, Sami Nikën e Mentor Maqanin, të afërm të “Currit” për veprat penale të fajdesë dhe detyrimit.

Pjesë e aktakuzës është edhe Adil Thaqi, një sipërmarrës nga Malisheva. Ai akuzohet për veprën penale të mashtrimit.

Paparakisht, Curri dhe të tjerët kishin rënë nën prangat e Policisë së Kosovës nën dyshimin për kryerjen e këtyre veprave penale më 20 maj, 2019. Ishin mbajtur në paraburgim për pesë muaj, kur me vendim të gjykatës ishin liruar në arrest shtëpiak.

JU REKOMANDOJMË