Kompania Trepça ka marrë vendim për largimin e përkohshëm nga puna të tre punonjësve, pas dy rasteve të vjedhjeve që kanë shkaktuar dëme materiale në asetet e saj.
Sipas njoftimit zyrtar, me datën 04 maj 2026, Kryeshefi Ekzekutiv ka nxjerrë vendimin për pezullimin nga puna të punëtorëve me inicialet M.U., K.K. dhe S.M, shkruan “Jepi zë”.
Vendimi bazohet në raportet përkatëse, të cilat konstatojnë se gjatë ushtrimit të detyrës kanë ndodhur dy raste vjedhjeje, më 10 shkurt dhe 1 maj 2026. Në këto raste janë vjedhur kabllo elektrike, komponente dhe pjesë të trafove, duke shkaktuar dëme materiale.
Nga shqyrtimi i rasteve rezulton se incidentet kanë ndodhur gjatë kohës kur punonjësit kanë qenë në ndërrim, duke pasur përgjegjësi direkte për mbikëqyrjen dhe sigurinë e aseteve.
Sipas “Trepçës”, këto veprime përbëjnë shkelje të rëndë të detyrave të punës dhe cenim të disiplinës në vendin e punës.







