Tre persona janë arrestuar pasi dyshohet se në dy raste të ndryshme kanë sulmuar katër zyrtarë policorë në orët e vona të së shtunës. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ganimete Tërbeshi” në Gjakovë.
Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes raportit ditor, ku sqarohet se fillimisht dy meshkuj kishin sulmua një polic jashtë detyrës zyrtare.
Po ashtu, njoftohet edhe se gjatë tentimit për arrestim të dy meshkujt dhe një femër kanë hasur në rezistencë, duke lënduar tre policë të tjerë.
“Është raportuar për të shtëna me armë zjarri ku në vendin e ngjarjes janë hasur dy të dyshuar meshkuj kosovar të cilët dyshohet që e kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar zyrtar policor i cili kishte qenë jashtë detyrës zyrtare. Viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa janë arrestuar tre të dyshuarit dy meshkuj dhe një femër kosovar/e, ku gjatë arrestimit të dyshuarit kanë shfaqur rezistencë dhe kanë pësuar lëndime edhe tre zyrtarë policor dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor, po ashtu edhe të dyshuarëve iu është ofruar tretman mjekësor”, njofton PK’ja.
Sipas njoftimit të policisë, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, teksa e dyshuara tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është kategorizuar si ‘Sulm ndaj personit zyrtar dhe lëndim i rëndë trupor’.