Komuna e Mitrovicës së Jugut ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 18,730 euro për furnizimin me 39 laptopë për anëtarët e Kuvendit Komunal dhe zyrtarë të tjerë.
Komuna udhëhequr nga Faton Peci ka nënshkruar një kontratë prej mbi 18 mijë euro për furnizimin me laptopë të rinj për anëtarët e Kuvendit Komunal dhe zyrtarë të tjerë.
Sipas dokumenteve të prokurimit, kontrata është nënshkruar më 17 qershor 2026. Fituese është shpallur kompania ARITECH, e cila ishte edhe oferta e vetme e përgjegjshme.
“Furnizim me Llaptop per anëtaret e Kuvendit Komunalë të Mitrovices se Jugut dhe të tjerë. Data e nënshkrimit te kontratës: 17.06.2026 . Numri i tenderëve te pranuar: 5 . Numri i tenderëve te përgjegjshëm: 1. Emri zyrtar: ARITECH. Vlera e përgjithshme e kontratës 18,730.00 euro”.

Edhe pse në procedurë janë pranuar pesë tenderë, dokumentet tregojnë se vetëm njëri është vlerësuar si i përgjegjshëm.
Kontrata parasheh furnizimin me gjithsej 39 laptopë, përkatësisht.
35 laptopë – Model II (Brand Name);
4 laptopë – Model III (Brand Name).

Në dokumente nuk bëhen publike modelet konkrete të pajisjeve, por specifikohet se operatori ekonomik duhet t’u përmbahet kërkesave të Mini-Tenderit të Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP). Pajisjet do të kenë garanci 36-mujore (3 vjet).
Dokumentet nuk sqarojnë se sa nga përfituesit kanë qenë tashmë të pajisur me laptopë funksionalë, as pse është konsideruar e domosdoshme kjo blerje në këtë fazë. Po ashtu, nuk bëhet e ditur nëse është bërë ndonjë analizë për gjendjen e pajisjeve ekzistuese apo nëse ato kanë qenë jashtë përdorimit.
“Vërejtje: Për te gjitha paisjet e specifikuara në Përshkrimin e çmimeve O.E. duhet ti përmbahen Mini Tenderit të AQP-së dhe specifikave te kërkuara. Garancioni për paisjet e furnizuar 3 vjetë ose 36 muaj sipas Minitenderit te AQP-së.”.








