Shkëmbim zjarri mes Policisë dhe disa personave në Zubin Potok, arrestohet një serb

Publikuar më:

Foto ilustruese

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, zyrtarë policorë nga Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare, në fshatin Bube të Zubin Potokut, kanë vënë re lëvizje të dyshimta të disa automjeteve.

Policia gjatë përpjekjes për kontrollim ka hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Kosovës, ata i janë përgjigjur të shtënave me armë zjarri me ç’rast kanë arritur ta arrestojnë njërin nga të dyshuarit.

“Në përpjekje për t’i ndaluar dhe kontrolluar automjetet e dyshuara, policia ka hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar. Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur vetën dhe vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit po ashtu me armë dhe kanë arritur ta arrestojnë njërin nga të dyshuarit: D.I., (viti i lindjes 1981, mashkull serb kosovar nga Z.Potoku). Gjatë shkëmbimit të zjarrit, zyrtarët policorë dhe i arrestuari nuk kanë pësuar lëndime.” – thuhet në komunikatë.

Gjatë kontrolli, janë gjetur 40 dele pa dokumentacion dhe dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia.

“Gjatë kontrollit të kamionit, janë gjetur të ngarkuara 40 copë dele, pa dokumentacion përcjellës e që dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia për në Republikën e Kosovës. Po ashtu aty janë hasur edhe dy automjete të braktisura, dyshohet se kanë qenë në përcjellje të kamionit”, thuhet tutje.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, përfshirë IPK-në dhe për rastin është njoftuar prokurori. Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti kundrejt dy veprave penale: ‘sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘kontrabanda e mallrave’.

Kamioni me dele është dërguar në terminalin doganor, dy veturat e hasura në vend-ngjarje janë konfiskuar, kurse më aktvendim nga prokurori, i dyshuari dërgohet në mbajtje deri në 48 orë”, thuhet ndër tjera në njoftimin e Policisë.

JU REKOMANDOJMË