Fermeri mund t’ia shoh sherrin derdhjes së qumështit në lum, paralajmërohet padi

Publikuar më:

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka njoftuar se do të ngrejë padi ndaj një personi, pasi ai publikoi video dhe fotografi ku shihet duke derdhur qumësht në lumin Bistricë, ujërat e të cilit derdhen në kanalin furnizues të Liqenit të Radoniqit.

Sipas KRU “Gjakova”, derdhja e qumështit paraqet ngarkesë të lartë organike për mjedisin ujor, pasi nxit shumimin e baktereve, rrit turbullirën e ujit, konsumon oksigjenin dhe shton nevojën për klor gjatë procesit të dezinfektimit. Gjithashtu, sipas ekspertëve të kompanisë, kjo mund të favorizojë edhe formimin e trihalometaneve (THM).

Për shkak të incidentit, kompania ka ndërprerë për disa orë mbushjen e Liqenit të Radoniqit me ujë nga kanali, deri në përfundimin e vlerësimeve dhe marrjen e masave të nevojshme teknike.

Rasti është raportuar edhe në Policinë e Kosovës, e cila pritet të ndërmarrë veprimet sipas kompetencave ligjore, ndërsa KRU “Gjakova” ka bërë të ditur se ndaj personit në fjalë do të iniciohet padi dhe procedurë gjyqësore gjatë ditës së hënë.

Kompania u ka bërë thirrje qytetarëve që pakënaqësitë apo shqetësimet t’i shprehin përmes rrugëve ligjore dhe të shmangin veprimet që mund të rrezikojnë burimet e ujit të pijshëm, duke kujtuar se nga Liqeni i Radoniqit furnizohen me ujë mbi 200 mijë banorë.

JU REKOMANDOJMË