LIRI PËR ÇLIRIMTARËT Në Kroaci protestohet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Publikuar më:

Në Kroaci do të protestohet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar lirimin e tyre.

Protesta e organizuar më 17 shkurt në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Këtë të diel, duke filluar nga ora 18:00, në qytetin e Zarës në Kroaci, do të mbahet protesta e radhës në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.

Protesta u njoftua nga Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), më 29 qershor.

Ajo do të mbahet nën moton “Liri për Çlirimtarët”.

Kundër mënyrës se si është zhvilluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar disa protesta, ku mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet kërkuan drejtësi. E fundit u mbajt në Prishtinë, më 17 shkurt. Para kësaj janë mbajtur edhe dy të tjera në Kryeqytetin e Kosovës, është mbajtur nga një edhe në Tiranë, Hagë, Strasburg e Shkup.

Fillimisht, ishte paraparë që aktgjykimi ndaj krerëve të UÇK-së të shpallej më 19 maj, por më pas ishte shtyrë për 20 korrik. U shtye sërish. Dhe, përfundimisht u vendos për 16 shtator.

Krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020.

Ata akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet dënim për secilin nga krerët e UÇK-së. Në total 180 vjet.

Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023 – më shumë se tri vjet pas arrestimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të 2025-së, njoftoi se kishte mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Në anën e krerëve të UÇK-së ka pasur dëshmitarë tejet të rëndësishëm ndërkombëtarë si ish-ndihmëssekretari Amerikan, James Rubin, ish-Komandanti i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Wesley Clark, ish-diplomati amerikan, Chris Hill etj.

Ata, ndër të tjera, kanë theksuar se UÇK-ja nuk ka pasur zinxhir komandues, ashtu siç tenton që ta paraqesë Prokuroria e Speciales.

Nga njohësit e çështjeve juridike – si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë – vazhdimisht ka pasur kritika për mënyrën se si është zhvilluar procesi në Hagë. Është konsideruar si i anshëm, janë pranuar provat nga Serbia, ka pasur dyshime edhe se po shkelen të drejtat e njeriut dhe se janë fshehur prova shfajësuese.

Që të ketë proces të drejtë në Speciale është kërkuar edhe nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë. Më 12 shkurt, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë miratuan rezoluta në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, ku u kërkua, ndër të tjera, që Gjykata Speciale të sigurojë një proces gjyqësor të paanshëm.

JU REKOMANDOJMË