Selmani: Po përsëritet historia që përgjegjësia e madhe t’u takojë trajnerëve vendorë dhe nuk i iki kësaj sfide, pasi jam gati për të

Publikuar më:

Ilir Selmani ndihet plotësisht i gatshëm për njërën prej sfidave më të vështira në karrierën e tij si trajner.

Atij i është besuar posti i trajnerit te KB Trepça, ekip të cilin do ta udhëheqë në ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni. Selmani të mërkurën ka zëvendësuar turkun Engin Gençoglu, i cili është larguar papritmas nga klubi, një ditë para ndeshjes së tretë të serisë finale të plejofit kundër Pejës.

Trepça të enjten prej orës 20:00 do të përballet me Pejën në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, ndeshje në të cilën Selmani do të debutojë. Për Selmanin, kjo është ndeshja e parë si kryetrajner i Trepçës këtë edicion, ndonëse në fillim të këtij viti pati marrë përkohësisht rolin e trajnerit pas largimit të Alek Jonchevskit. Megjithatë, tri ditë pas emërimit të Selmanit në këtë post, Trepça angazhoi turkun Gençoglu.

Kështu që, Selmani u zhvendos në rolin e asistentit të tij. Tani, ai thotë se ka pranuar sfidën për ta mbyllur edicionin me Trepçën, e cila është në kërkim të titullit të kampionit që nga viti 2012. Pas dy ndeshjeve të luajtura deri më tani me Pejën në këtë seri finale, rezultati është 1:1 dhe Selmani po synon fitore në duelin e tretë, në mënyrë që Trepça të bëjë një hap të madh drejt titullit të kampionit. Skuadra që shënon tri fitore, do të shpallet kampione e Kosovës, ndërsa nëse vjen deri të ndeshja e pestë eventuale, atëherë ajo do të luhet në Mitrovicë pasi Trepça ka përparësinë e terrenit vendas.

“Është përgjegjësi e madhe dhe ndoshta prej sfidave më të vështira, ndonëse edhe në të kaluarën kam pasur situata të vështira kur isha në krye të ekipit që kishte vështirësi financiare. Por, kjo tani është krejt diçka tjetër pasi të gjithë në Mitrovicë presin ta rikthejmë titullin e kampionit, i cili mungon prej vitit 2012. Pra, po përsëritet historia që përgjegjësia e madhe t’u takojë trajnerëve vendorë dhe nuk i iki kësaj sfide, pasi jam gati për të”, ka thënë Selmani të mërkurën për KOHËN.

“Lojtarët janë të motivuar, e dinë rëndësinë e ndeshjes dhe jam optimist. Rezultati është 1:1, por ne kemi përparësinë e terrenit si dhe përkrahjen në favor tonin, që duhet t’i shfrytëzojmë për fitore. Kështu që, do të japim gjithçka nga vetja për fitore në këtë përballje”.

E situatën e papritur të krijuar te Trepça pas këtyre zhvillimeve Peja po synon ta shfrytëzojë. Ekipi pejan e barazoi të dielën rezultatin e përgjithshëm në 1:1 pas fitores së thellë (107:78) në palestrën “Karagaçi”. E duket se kjo fitore ka motivuar edhe më shumë ekipin e trajnerit Rami Hadar për duelin e tretë. Te Peja kanë insistuar se do të udhëtojnë në Mitrovicë maksimalisht të motivuar, duke synuar fitoren dhe rikthimin e avantazhit në favor të vetin. Megjithatë, kanë pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë pasi Trepça luan në shtëpi dhe do ta ketë përkrahjen e fuqishme të tifozëve të saj, të cilët pritet ta stërmbushin palestrën “Minatori”.

Edhe Peja sikurse skuadra e Trepçës ka kohë që nuk e ka fituar titullin e kampionit. Nuk e ka shijuar këtë sukses prej vitit 2012. Për dallim prej Pejës që këtë edicion nuk ka fituar ende asgjë, Trepça ka siguruar dy trofe – Kupën e Kosovës dhe Superkupën Mbarëshqiptare. Peja arriti deri në finalen e Ligës Ballkanike (BIBL), por u mposht nga Hapoel Beer Sheva javë më parë.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.