Shoqata humanitare “Bereqeti” në Vushtrri ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka realizuar një aksion humanitar në mbështetje të familjeve në nevojë në komunë.
Sipas njoftimit, përmes shoqatës “Kuwait Society for Relief”, janë shpërndarë 80 pako ushqimore, vezë dhe nga 25 kilogramë miell për 80 familje skamnore dhe familje me jetimë në Vushtrri.
Koordinatori i shoqatës “Bereqeti”, hoxhë Sadik Hasani, ka falënderuar donatorët për mbështetjen e vazhdueshme, duke shprehur shpresën se kjo ndihmë do të ndikojë në lehtësimin, sado pak, të gjendjes së familjeve përfituese.
Nga shoqata theksojnë se aktivitetet humanitare do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me synimin për të mbështetur sa më shumë familje që përballen me vështirësi ekonomike në komunën e Vushtrrisë.






