Ish-deputetja Rrezarta Krasniqi ka reaguar për gjendjen e semaforëve në udhëkryqin e magjistrales Prishtinë–Mitrovicë, në fshatin Begaj të Vushtrrisë, duke kërkuar veprim urgjent nga Ministria e Infrastrukturës.
Sipas Krasniqit, semaforët në këtë pikë shumë të frekuentuar kanë kohë që nuk funksionojnë, duke rrezikuar çdo ditë sigurinë e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.
“Në udhëkryqin e magjistrales Prishtinë–Mitrovicë, në fshatin Begaj të Vushtrrisë, semaforët janë ndalur prej kohësh. Një pikë shumë e frekuentuar ku çdo ditë po rrezikohet jeta e qytetarëve dhe për institucionet duket se kjo nuk përbën urgjencë”, ka shkruar Krasniqi.
Ajo ka kritikuar Ministrinë e Infrastrukturës, duke theksuar se sipas saj prioritet po marrin çështjet politike në vend të problemeve që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e qytetarëve.
Ndër të tjera, Krasniqi i është drejtuar edhe ministrit Dimal Basha, duke e cilësuar neglizhencën institucionale si papërgjegjësi që mund të ketë pasoja serioze.
“Ministër Dimal Basha, neglizhenca nuk është vetëm dështim, është papërgjegjësi që rrezikon jetë njerëzish”, ka theksuar ajo.






