Pastaj më thonë: “Pse s’kthehesh? Çfarë ke dashur në Gjermani? Këtu është më mirë.”

Publikuar më:

Dhe çdo herë që e dëgjoj këtë fjali, më duket sikur dikush po më kërkon të arsyetoj largimin tim, jo si zgjedhje jete, por si faj moral. Sikur të largohesh të jetë tradhti, e të qëndrosh, edhe kur të thyen, të jetë virtyt. Dhe kjo më dhemb më shumë se çdo kilometër që më ndan nga vendi im.

Çfarë kam dashur në Gjermani?
Kam dashur diçka që këtu shpesh është luks: sigurinë. Sigurinë që nesër nuk do të jetë më keq se sot. Sigurinë që, nëse punoj, do të jetoj. Jo të mbijetoj. Jo të pres. Jo të lutem. Kam dashur të mos e mas jetën time me ndihma, subvencione, lista përfituesish dhe vendime që vonohen. Kam dashur të mos jem i varur nga askush për dinjitetin tim.

Kur më thonë “këtu është më mirë”, unë mendoj për ata njerëz që pashë para bankomatëve. Mendoj për sytë e tyre, për heshtjen e rëndë, për fjalitë e thëna me zë të ulët: “Nuk ka dalë ende”, “Po na i vonojnë”, “Veç këto i kam për këtë muaj.” Ajo nuk ishte radhë për para. Ishte radhë për shpresë. Dhe kur shpresa varet nga një ekran, atëherë diçka thellë është thyer.

Më thonë “kthehu”, por askush nuk pyet se çfarë do të thotë të kthehesh në një realitet ku fundi i muajit është gjithmonë betejë. Askush nuk pyet se si është të jetosh me ndjesinë se, sado të përpiqesh, sistemi të mban gjithmonë në prag. Ku njerëzit e ndershëm mësohen të presin, ndërsa të tjerët ecin përpara. Ku puna nuk të shpërblen, por vetëm të lodh.

Unë nuk jam larguar sepse nuk e dua Kosovën. Jam larguar sepse e desha veten mjaftueshëm për të mos e shkatërruar këtu. Jam larguar sepse pashë se jeta ime po shndërrohej në pritje të pafund: prit për një punë, prit për një pagesë, prit për një ndihmë, prit për një ditë më të mirë që kurrë nuk vjen. Dhe pritja të vret ngadalë. Nuk bën zhurmë, por të konsumon.

Në Gjermani nuk gjeta para që bien nga qielli. Gjeta punë të rëndë. Gjeta lodhje. Gjeta net pa gjumë. Por gjeta diçka që këtu më mungonte: parashikueshmëri. Dije që, nëse sëmuresh, nuk je vetëm. Që, nëse punon, e di sa merr. Që, nëse planifikon, plani ka kuptim. Dhe për një njeri që ka jetuar gjatë në pasiguri, kjo është liri.

Më thonë “çfarë ke dashur atje”, por askush nuk e sheh çmimin e largimit. Askush nuk e sheh vetminë. Mallin që nuk shërohet. Festat pa familje. Telefonatat që mbyllen me lot. Ndjesinë se po jeton mes dy botëve dhe nuk i përket plotësisht asnjërës. Largimi nuk është shpëtim. Është plagë e nevojshme.

Kur shoh sot njerëz që presin ndihma për të paguar faturat, e kuptoj se problemi nuk është individi, por sistemi. Dhe kur sistemi të detyron të zgjedhësh mes dinjitetit dhe qëndrimit, shumë zgjedhin ikjen. Jo sepse janë të dobët, por sepse janë lodhur duke qenë të fortë pa rezultat.

Prandaj, kur më thoni “kthehu”, më dhemb. Sepse unë dua të kthehem. Shumë. Dua të kthehem në shtëpinë time, në gjuhën time, te njerëzit e mi. Por dua të kthehem në një vend ku jeta nuk është provë durimi. Ku ndihma është përjashtim, jo rregull. Ku njerëzit nuk presin para bankomatëve për të mbijetuar, por planifikojnë jetën e tyre me dinjitet.

Unë nuk ika për t’u larguar nga Kosova.
Ika sepse Kosova, si sistem, u largua nga unë.

Dhe derisa kjo të ndryshojë, mos më pyesni pse jam larg.
Pyeteni veten pse kaq shumë njerëz e duan këtë vend, por nuk munden më të jetojnë në të.

©️ Yll Llapashtica

JU REKOMANDOJMË